“U njoha me shefat editorialistë, nuk pata më motiv për ta vazhduar gjyqin”
Kryeministri Edi Rama është tërhequr nga padia ndaj gazetës gjermane Bild.
Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë thotë se kjo gjë është njerëzore dhe se e ka bërë pas njohjes me shefat editorialistë të BILD gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih.
Sqarimin kreu i qeverisë thotë se e bën për popullin dhe jo për kundërshtarët politikë.
“Në greqishten e vjetër idiot quhej personi që s’duhet të merrej me çështje të interesit publik, po vetëm me punët e veta. Fatkeqësisht më kanë qëlluar kundërshtarë disa që politikën e kanë si nevojë personale dhe jashtënxjerrin papushim në publik idiotësinë e tyre!
Por paçka se fatmirësisht ky popull ua njeh erën prej kohësh dhe as u afrohet më, sqarimet duhen bërë për popullin jo për ta! U njoha me shefat editorialistë të BILD gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih dhe kaluam aq bukur sa nuk pata më motiv për ta vazhduar gjyqin. Njerëzore”, shkruan Rama.
Kryeministri Rama lajmëroi në Qershor të 2019-s nisjen e procedurave për t’u përballur në gjykatat gjermane me gazetën Bild. Kryeministri ngriti një padi ndaj gazetës pasi ajo publikoi disa nga përgjimet e dosjeve 339 dhe 184.