Marrëdheniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës janë në një pikë kyçe dhe duhet punuar për të shmangur konfliktin e hapur mes dy ekonomive më të mëdha të botës.
Ky ishte paralajmërimi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, i cili gjatë një konference të rrallë për shtyp në Departamentin e Shtetit tha se, raportet janë në rrezik pas një periudhe pa konflikte që zgjat prej më shumë se 4 dekadash.Komentet e Tillerson u bënë pas daljes së raporteve se, Donald Trump po përgatitet të urdhërojë një hetim të praktikave kineze të tregtisë. Ekspertët besojnë se Trump ishte i gatshëm të toleronte Kinën në fushën e tregtisë dhe debatin për detin e Kinës së Jugut, në këmbim të bashkëpunimit mbi Korenë e Veriut.
Mungesa e progresit me vendin e izoluar komunist, qartësisht po dëmton raportin amerikan me Kinën. Tillerson tha se raporti mes SHBA-ve dhe Kinës testohet me çështje si Koreja e Veriut, një kërcënim i përbashkët. Ai la të kuptohet se, nëse nuk bien dot dakord as për këtë, çështje më kontradiktore si tregtia dhe deti i Kinës Jugore duan kujdes edhe më të madh, për të mos rezultuar në konflikt të hapur.
Analistët thonë se Kina dhe SHBA janë vërtet në një moment kyç në marrëdhëniet mes tyre, e nëse nuk shihet angazhim efikas, ngrihet natyrshëm pyetja nëse po kthehemi në Luftën e Ftohtë.