Raporti i DASH për skemën e pastrimit të parave, Manjani tregon problemin e madh që ka Shqipëria: Ka një shkallë të jashtëzakonshme!

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka komentuar raportin e Departamentin Amerikan të Shtetit, për skemën e pastrimit të parave.

Manjani është ndalur te niveli i lartë i informalitetit në vendin tonë, teksa shton se në Shqipëri është bërë bashkë shteti me taksidarin dhe të fortin.

‘Problemi themelor në Shqipëri i gjithë këtyre viteve është informaliteti në një shkallë të jashtëzakonshme. Kam parasysh që nuk ka një vend në Europë jo njëherë, po as në Euro-Azi, se amerikanët kështu kanë qef ti shohin gjërat, ku të gjesh një nivel kaq të lartë informaliteti. Ky informalitet manifestohet në mënyra të ndryshme, qoftë në paratë e krimit, të drogës.

Asgjë në Shqipëri nuk i justifikon burimet. Niveli i informalitetit është aq i lartë sa këtu nuk ka kuptim të flitet për ligj, për rend, për shtet. Këtu i forti dhe taksidari janë bërë bashkë me shtetin dhe nuk ka më kuptim taksa, sistemi ekonomik që matet. Nga ky këndvështrim them se kriza është më e madhe se sa thjeshtë pastrohen apo jo paratë. Pastrimi i parasë është një gjë, por ndërtimi i një ekonomie informale, veçanërisht stimulimi i njerëzve që politika dhe veçanërisht qeveria në vitet e fundit i ka bërë njerëzve drejt aktiviteteve të paligjshme, rrisin shumë nivelin e vulnerabilitetit të njerëzve. Sot janë një bashkësi njerëzish që me ligje janë të shpallur të gjithë fajtorë dhe këtë e sjell të gjithën demokracia informale, kultivimi masiv i kanabisit. Shteti i shtyn drejt një ekonomie kapilare që prodhon të ardhura jashtë sistemit ekonomik, të pataksueshme dhe duke krijuar një ekonomi fiktive dhe ekonomi paralele.’-tha Manjani.

Leave a Reply