Kryeministri Edi Rama ka komentuar shkurtimisht përmes faqes së tij në Facebook raportin e Guardia Di Finanza-s italiane për kultivimin dhe trafikun e hashashit në Shqipëri.
“Kur faktet flasin vetë dhe kur fjala sukses nuk vihet dot në dyshim”, shkruan ai mbi videon e publikuar ku drejtues të policisë italiane japin rezultatet në lidhje me luftën antihashash.
Raporti i misionit të monitorimit ajror për vitin 2017-të u prezantua në prani edhe të ministrit të Brendshëm italian, Marco Minniti, i cili ndodhej në Tiranë në një vizitë zyrtare.
“Ne këtë vit kemi kryer fluturime në 23.77% të territorit shqiptar në zona me risk ku mund të kultivohej kanabis. Kemi kryer 53 misione ajrore ose e thënë ndryshe 129 orë fluturimi. Në 2016-ën konstatuan rreth 2 mijë plantacione me më shumë se 700 mijë rrënjë ndërsa për 2017-ën, pra këtë vit janë konstatuar 88 plantacione me rreth 5 mijë rrënjë. Reduktimi është i dukshëm”, tha Stefano Skrepanti, shef i repartit 3 të Guardia di Finanza.