(Rreth një shkrimi të porositur nga Sulejman Rexhepi, me titull “Çka e lidhë Molla Nazminë me puçistat e BFI-së”, të publikuar në do paçavra të Mulla Sulës)
Opinioni i ngushtë i vendit mbase pati rastin të lexojë një shkrim me një titull, i cili, i formuluar në atë formë e nxjerr lakuriq Mulla Sulën, si porositës të atij shkrimi! Po cili qenka halli i Mulla Sulës?
Mulla Sula nuk e ka hall që ta respektojë dëshirën dhe kërkesën e xhematit mysliman të vendit por, hall e ka se me kë shoqërohem unë? Ja ku po ia eliminoj hallin: unë shoqërohem me më të mirët e kombit, me të paudhët kurrë nuk do të më shohë në shoqëri Mulla Sula, edhe pse as kjo nuk duhet t’i interesojë shumë!
Askush deri më tani nuk ka konkluduar se Afrim Tahiri na qenka ai djali i keq, kurse Mulla Sula na qenka ai i miri, në tërë atë tronditje që i ra sipër BFI-së e që akoma po e dridhë! Argumentat e Afrim Tahirit gjithnjë e më shumë po bindin xhemat, teologë, intelektualë dhe shtresa të ndryshme të shoqërisë se pikërisht vetë ai është në të drejtë dhe se është fati i perspektivës së islamit në këtë vend.
Unë këtë bindje kam, pavarësisht Mulla Sulës që më bën presion dhe më shantazhon e ma kushtëzon dekretin e emërimit tim imam në xhaminë ku ka shërbyer babai im, po ashtu hoxh, i njohur si Mulla Nazmi Jashari.
Miqësia nuk ndërtohet mbi dekrete dhe mi pozicionime me interesa meskine. Unë kam besuar se babai im ka qenë gjithmonë mik me Mulla Sulën, ndërsa ky, për faktin se më paska parë mua në shoqëri me Afrim Tahirin, pra mua dhe jo babain tim, shkon dhe porosit shkrim tepër të poshtër, përplot me insinuata policore, të denja për shërbimet antiislame dhe antishqiptare! Po pse Mulla Sula i frikësohet kaq shumë Afrim Tahirit? Pse kujdeset më shumë për ta “varrosur” Afrim Tahirin se sa për ta ngriitur BFI – në nga katandisja falimentuese ku e ka futur? Unë kam bindjen, si shumica e teologëve të vendit se, Afrim Tahiri është “arkiv i gjallë” i Mulla Sulës dhe mos e dhashtë Zoti që të nisë të flasë e të dokumentojë publikisht për Mulla Sulën! Të gjithë teologët, të cilët nuk çajnë fort kokë pë dekretin e pavlefshëm të Mulla Sulës, gjithnjë e më shumë po rreshtohemi në krah të Afrim Tahirit dhe, tek ai shohim shpëtimin e BFI-së tashmë të uzurpuar e të degraduar nga “reisi” uzurpator! Që kur doli Afrim Tahiri nga BFI-ja në shenjë revolte kundër keqpërdoruesve, hajnave dhe të korruptuarve, BFI-në e mori pusi tatëpjesë dhe po degradon atje ku po ka qejf Mulla Sula.
Shpifë gjëra më triviale kundër babait tim, i cili një jetë të tërë e kaloi në shërbim të fesë e të kombit, ndërsa nuk e kupton se ofron “informacione” sikur vetë ai të ishte brenda DBK-së! Refuzon në mënyrë diktatoriale që unë të jem në shërbim të xhematit të babait tim, sepse nuk paskam të mbaruar Medresenë! Paj, mbase nuk është mëkat më i madh se sa në krye të BFI-së të prijë një njeri që nuk është i diplomuar në asnjë fakultet të botës!
Unë mburrem me faktin që babai im, Molla Nazmia i Ropalcës, prej meje ka bërë një mysliman të devotshëm, të gatshëm për t’i shërbyer fetarisht e kombëtarisht myslimanëve të vendit, por, shtrohet pyetja se çka ka bërë Mulla Sula me pjellën e vet, përveç mikrofonmbajtës dhe policë që akuzohen dhe nuk kanë guxim të mbrohen si skenaristë dhe si dhunues të deputetëve shqiptarë në Kuvendin e Maqedonisë!
Pa dyshim, policët prodhojnë policë, kurse hoxhallarët prodhojnë hoxhallarë, njerëz të dijes, të dritës e të vlerave kombëtare.
Jasir Jashari, imam i xhematit të xhamisë në Ropalcë