Reforma në drejtësi, Vasili: Sugjerimet e LSI-PD vlerë e shtuar

Sugjerimet e LSI dhe PD, paralelisht me draftin e ekspertëve të nivelit të lartë, janë një vlerë e shtuar për proçesin. Nga studio e lajmeve, në Ora News, nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, deklaroi se konsensusi i nxituar do të përsëriste gabimet e kaluara, duke sjellë në vëmendje ndryshimet kushtetuese të vitit 2008.

Vasili: Sigurisht për tavolinën e punës të komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi të ketë sa më shumë opinione, sa më shumë qëndrime, të cilat afrohen gjithnjë e më shumë drejt një opinioni të qendërzuar siç është ai i Venecias, për të pasur një reformë në drejtësi, e cila është e qëndrueshme dhe afatgjatë, dhe jo një reformë që lind sot dhe vdes nesër, e cila prodhon tërësisht mosbesim dhe një pasiguri të madhe tek qytetarët për drejtësinë. Së dyti, është një reformë, e cila për shkak të këtij debati, diskutimi duhet të zhvillohet nën hullinë e një reforme transparente.

Në rast se në një sekondë dhe menjëherë, të gjithë do të kishin një qëndrim të unifikuar, në çast, për një draft, i cili është i ekspertëve, nuk është i tryezës politike, do të thotë që do të kishim o një konsensus prematurë, pra të papjekur si duhet, i cili mund të na prodhonte ato sëmundje të konsensuseve të shpejta që i kemi pasur kohë më parë. Kushtetuta është ndryshuar për herë të fundit në vitin 2008 dhe konsensusi u arrit shumë shpejt, jashtë syve të publikut, pa transparencë. Dhe ja ku jemi sot, ja ku ndodhemi këtu, të obliguar, të detyruar të ndryshojmë Kushtetutën në mjaft pika të saj për ta bërë sistemin e drejtësisë të funksionojë.

Propozimet e LSI, sipas Vasilit janë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.Vasili: Kemi mobilizuar ekspertizën më të mirë profesionale. Edhe ne si LSI kemi konstucionalistë mjaft të zotë për ta pasuruar procesin e rishikimit. Unë e vlerësoj për gjithë punën e bërë draftin e ekspertëve. Asnjë nuk mund të pretendojë se ka një draft shterues, që shteronte gjithçka. Një problem i komplikuar kërkon edhe shkëmbimeve të gjera mendimesh dhe një debat të gjerë sepse bëhet fjalë për një problem shumë serioz siç është drejtësia, me tronditje të thellë brenda vetes, i cili kërkon zgjidhje të thella. Nuk mund ta ketë askush çelësin magjik për të pasur një draft që shteron gjithçka.Ndërsa zërat për një afrim mes LSI dhe PD, Vasili i konsideron thashetheme të vitit të ri.

Vasili: Unë do të thosha që në një farë mënyre, unë kam pasur fatin të jem në studion tuaj edhe në kohën e verës kur janë ndërtuar ato që quhen dosjet e thashethemet e verës, tani kemi këto të Vitit të Ri. Praktikisht, ne jemi të bashkuar dhe jemi në një forcë politike si mazhorancë për të kryer reformën në drejtësi dhe është aksion i kësaj mazhorance reforma në drejtësi.

I pyetur për referendumin, Vasili tha se parlamenti ka të gjithë ekspertizën dhe besimin e qytetarëve për realizimin e reformës në drejtësi.

Intervista e Vasilit për  “Ora News” Z. Vasili, LSI ka bërë sugjerimet e saj për draftin për reformën në drejtësi, A do të thotë kjo që nuk jeni dakord me draftin e përgatitur nga ekspertët?

Vasili: Për të qenë korrekt me të gjithë zhvillimet që kanë ndodhur për një çështje madhore, siç është reforma në drejtësi, nuk është çështja që ne nuk jemi dakord apo jemi dakord. Reforma në drejtësi, duke qenë një reformë e gjerë, kërkon gjithmonë e më shumë mendime dhe sugjerime sa më të shumta. Dhe pasi kemi marrë opinionin e parë të Venecias, kemi parë edhe reflektimet përkatëse që i janë bërë raportit nga ekspertët, që e kanë hartuar herën e parë e që janë reflektuar përsëri mbi të mbi bazë të raportit të Venecias, pikërisht në frymën e këtij raporti, ne kemi bërë disa sugjerime, të cilat janë besoj një kontribut plus, një kontribut i shtuar në mënyrë që, në marrjen e raportit përfundimtar që vjen besoj në gjysmën e dytë të shkurtit. Sigurisht për tavolinën e punës të komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi të ketë sa më shumë opinione, sa më shumë qëndrime, të cilat afrohen gjithnjë e më shumë drejt një opinioni të qendërzuar siç është ai i Venecias, për të pasur një reformë në drejtësi, e cila është e qëndrueshme dhe afatgjatë, dhe jo një reformë që lind sot dhe vdes nesër, e cila prodhon tërësisht mosbesim dhe një pasiguri të madhe tek qytetarët për drejtësinë. Së dyti, është një reformë, e cila për shkak të këtij debati, diskutimi duhet të zhvillohet nën hullinë e një reforme transparente. Transparente, sepse është një cilësi shumë e domosdoshme e sistemit. Dhe së treti, një reformë, e cila do të jetësojë standarde të larta të drejtësisë, sepse duke pasur standarde të tilla të larta, ne mund të kemi pikërisht atë drejtësi, të cilët qytetarët presin e tek e cila qytetarët besojnë. Pra, një drejtësi, rezultatet e së cilës, qytetarët do të kenë mundësi t’i prekin. Pra, kur marrin drejtësi, kur nuk vonohen, kur nuk janë të shantazhuar apo të kërcënuar nga korrupsioni, por një vendim i drejtë, i bazuar në ligj, do t’i japë të drejtë atij që e ka dhe sigurisht ai që nuk e ka, nuk do ta fitojë këtë të drejtë. Këtë duhet ta zgjidhë ligji dhe nuk duhet ta zgjidhë as korrupsioni, as shantazhi apo ligjet e paqarta. Ndaj, për këto arsye dhe duke qenë se bëhet fjalë për një prekje serioze të Kushtetutës, sigurisht është gjithmonë një debat i hapur, diskutimet e shumta e ndihmojnë. Dhe ne jemi përpjekur të japim kontributin tonë për të pasuruar këtë, duke u nisur edhe nga disa shtylla ku Komisioni i Venecias ka orientuar sugjerimet e tij, ku ka kërkuar ndryshime minimaliste në Kushtetutë, pra vetëm për elementë parimorë të saj. Njëkohësisht ka sugjeruar thjeshtëzim të institucioneve për t’i bërë qytetarët të kuptojnë se, duke qenë institucione të qarta e të thjeshta, kuptohen qartë edhe përgjegjësitë e secilit në sistem. Pra, nëse kemi një drejtësi me elemente korruptive, t’i gjejmë menjëherë, t’i identifikojmë menjëherë, të gjejmë edhe fajtorët, në mënyrë që të mos ta lëmë sëmundjen të rëndohet në kohë, pra duke mos vazhduar duke pasur drejtësi të keqe e mosbesuese, por të kemi drejtësi dhe një qëndrim të rreptë ndaj atyre që abuzojnë në sistemin e drejtësisë.

Megjithatë, z. Vasili, fakti që është një draft i hartuar nga ekspertët dhe nga ana tjetër kemi rekomandime nga LSI-a, gjithashtu edhe nga PD-a, a nuk tregon për një mungesë konsensusi politik?

Vasili:Mendoj që kjo rrugë është një rrugë që ndërton konsensus. Ç’dua të them me këtë?

Në rast se në një sekondë dhe menjëherë, të gjithë do të kishin një qëndrim të unifikuar, në çast, për një draft, i cili është i ekspertëve, nuk është i tryezës politike, do të thotë që do të kishim o një konsensus prematurë, pra të papjekur si duhet, i cili mund të na prodhonte ato sëmundje të konsensuseve të shpejta që i kemi pasur kohë më parë. Kushtetuta është ndryshuar për herë të fundit në vitin 2008 dhe konsensusi u arrit shumë shpejt, jashtë syve të publikut, pa transparencë. Dhe ja ku jemi sot, ja ku ndodhemi këtu, të obliguar, të detyruar të ndryshojmë Kushtetutën në mjaft pika të saj për ta bërë sistemin e drejtësisë të funksionojë. Pra, do të thotë, një konsensus i ngjizur aty – aty, në çast, pa parime të shëndosha dhe pa transparencë, nuk bën gjë tjetër veçse riprodhon problematika negative. Kjo rrugë ndërton një konsensus më solid, pra të gjitha palët të ulen në tavolinë, janë të ndërgjegjshëm për atë që kanë përpara, kanë një udhërrëfyes të përbashkët që është Komisioni i Venecias, ka një ndjeshmëri politike maksimale që reforma në drejtësi duhet të jetë shumë e thellë, që të hyjë në qelizën e sistemit, për të përmirësuar në rrënjë çdo element ku ai sistem çalon. Sepse mosbesimi i qytetarëve të ky sistem është një kambanë e fortë për të gjithë. Për LSI është mobilizuar një nivel ekspertize i shkëlqyer, por edhe PS apo PD kanë ekspertë mjaft të zotë. Pra, të gjitha palët që në mënyrën më të përgjegjshme ofrojnë dhe debatojnë për më të mirën dhe në fund bien dakord, ky do të ishte ai konsensus që do të prodhonte një gjë që qëndrueshme. Ne kemi pasur problemin e madh të bërjes së ligjeve me ngut. E për t’u dhënë përgjigje të gjithë atyre pyetjeve dhe konstatimeve që kanë ndodhur në praktikë, që të kemi ligje edhe të mira por edhe me garanci zbatimi të plotë, pikërisht për këtë arsye është ky qëndrim aktiv. Ky është një shërbim në favor të konsensusit, përfshirë këtu edhe asisntecën juridike dhe politike të faktorit ndërkombëtar, të ambasadorit amerikan në mënyrë të veçantë, i cili është investuar jashtëzakonisht. Ambasadorja Vlahutin e cila po ashtu kanë qenë aktive në këtë proces si dhe misionet e tyre, ai OPDAT i ambasadës amerikane dhe EURALIUS i Bashkimit Evropian. Pra, janë hedhur në fushë ekspertizat më të mira vendase dhe të huaja, por argumenti më i qartë politik për të arritur konsensusin. Kjo, e shoqëruar me gjithë eksperiencën e duhur na çon te ai konsensus që dëshirojmë. Objektivi është që të arrihet një konsensus për një reformë që duan qytetarët dhe ato rezultate që qytetarët presin me durim.Si e gjykoni draftin për reformën në drejtësi, ndërkohë që Partia Demokratike e ka cilësuar atë si një draft për kapjen e sistemit të drejtësisë?

Vasili: Ne e kemi parë draftin me gjakftohtësi dhe këqyrja jonë ka qenë krejtësisht profesionale e prirur nga kriteret më të mira profesionale edhe teknike, përveçse politike, sepse mendoj se shumë kolegë ndajnë këtë mendim që tani na duhet një mendim profesional dhe politika të hyjë në lojë në atë moment kur ajo e ka radhën për të folur. Por, ekspertizën më të mirë profesionale duhet ta marrim ta kemi në tavolinë. E gjithë lënda e parë duhet të jetë atje. Kemi mobilizuar ekspertizën më të mirë profesionale. Edhe ne si LSI kemi konstucionalistë mjaft të zotë për ta pasuruar procesin e rishikimit. Unë e vlerësoj për gjithë punën e bërë draftin e ekspertëve. Asnjë nuk mund të pretendojë se ka një draft shterues, që shteronte gjithçka. Një problem i komplikuar kërkon edhe shkëmbimeve të gjera mendimesh dhe një debat të gjerë sepse bëhet fjalë për një problem shumë serioz siç është drejtësia, me tronditje të thellë brenda vetes, i cili kërkon zgjidhje të thella. Nuk mund ta ketë askush çelësin magjik për të pasur një draft që shteron gjithçka. Ky shkëmbim i fortë mendimesh dhe sugjerimesh është dimensioni më i vyer që reforma po merr në kuadrin e një transparence të plotë. Në të kundërt, nëse ju do të konstatonit një pasivitet të plotë kjo do të shqetësonte edhe opinionin publik, edhe median, se pse heshtin të gjithë. A ka mundësi të ketë një projekt që të kënaqë të gjithë 100 për qind. Edhe në sallën e Parlamentit ju keni parë diskutime, amendime për ligje të zakonshme, e jo më një reformë kaq e gjerë. Nëse analiza i parapriu bërjes së draftit të ekspertëve, qoftë puna e ekspertëve duhet vlerësuar. Për gjithçka ata hulumtuan dhe kemi në tavolinën e punës një draft. Pasurimi apo përmirësimi apo duhet rishikuar në frymën e Komisionit të Venecias, i cili tashmë ka dhënë disa orientime të qarta, nuk i bëjnë gjë tjetër veçse e vlerësojnë draftin e ekspertëve, e pasurojnë produktin, i cili do të ulet në tavolinën e komisionit të posaçëm, i cili të jemi realist nuk është se ka filluar plotësisht punën e tij sepse deri më tani ka promovuar mbledhjen e lëndës së parë. Pas ardhjes së opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias rreth datës 18 shkurt, do të kemi të gjithë materialin e domosdoshëm për të ecur më shpejt atje ku konsensusi është më i qartë dhe sigurisht për debatuar më qartë atje ku duhet diskutuar. Ka plot pika ku ka dakordësi, por edhe pika ku ka vend për diskutim. E gjitha kjo synon që të godasë koorporativizmin në drejtësi dhe për të mos lejuar një kooperativizëm të ri, për të lejuar rritjen profesionale dhe për të evituar sharlatanizmin dhe klientelizimin politik, për të rritur fuqinë e hetimit e cila është baza e një drejtësie të mirë. Sot ndodhemi para faktit që ka dosje gjysmake, ku drejtësia vendos si të dojë. Por, një hetim themelor dhe profesional ku prokuroria ka një rol të jashtëzakonshëm do të bënte që edhe hapësirat që do të mund të kishte abuzime do të ishte minimale. Nga kjo do t’u jepnim përgjigjen e duhur korrupsionit në drejtësi.

Si e komentoni deklaratën e kreut të PD-së Basha, i cili përshëndeti qëndrimin tuaj për reformën në drejtësi, duke ftuar edhe Partisë Socialiste që t’i bashkohet këtij qëndrimi?

Vasili: Besoj që nuk është misioni im politik që të komentoj deklaratat politike. Ne kemi promovuar që në krye të herës konsensusin, pra ndërtimin e konsensusit. E kemi bërë me shumë motivim edhe për ligjin e dekriminalizimin. Ky konsensus u arrit edhe kur PD ishte shumë larg konsensusit apo nuk po i shërbente atij. Përkundrejt mirëkuptimit që arritëm mbi ligjin për dekriminalizimin, PD paraqiti një draft alternativ dhe pastaj qeveria paraqiti një gjë tjetër. Dua të them që zgjidhjet e qëndrueshme dhe afatgjata kërkojnë mirëkuptim të gjerë dhe konsensus. Ky është një mësim i mirë që del nga veprimi politik i LSI-së. Më vjen mirë që kushdo që e kupton që kjo është rruga e duhur, është e mirëpritur. Ne nuk kemi lëshuar qëndrim nga raporti ynë me mirëkuptimin, me atë që është e mirë për shqiptarët. Ne nuk kemi bërë shërbim për armiqësi midis shqiptarëve. Shqiptarët votojnë PS, LSI, PD etj. Shqiptarët janë të shqetësuar në masë për reformën në drejtësi, nuk janë shqetësuar vetëm ata që votojnë një parti të caktuar. Ne kemi deduktuar që Shqipëria ka nevojë jo për armiqësi politike por për zgjidhje të mëdha dhe për çështje konsensuale, për zgjidhje konsensuale, dhe sigurisht të vazhdojmë të ruajmë diferencën për çështjet programore që na ndajnë, midis të majtës, midis të djathtës, midis ekstremizmit dhe te qenit të moderuar, dhe e gjitha kjo për të ruajtur diferencën, por kemi detyrim për të qenë pikërisht bashkë për këto gjëra. I kemi qëndruar shumë larg retorikave të egra, të cilat nuk kanë munguar nga Partia Demokratike, dhe i kemi qëndruar larg idesë që konsensusi është i pamundur, por kemi thënë që, po konsensusi është i mundur në qoftë se ka dëshirë. Instrumentet ekzistojnë dhe retorikat e egra përveçse na largojnë dhe na armiqësojnë, nuk na bëjnë gjë tjetër. Sepse vendi ka nevojë për zgjidhje të tjera, ndaj në qoftë se të gjithë faktorë të tjerë politikë vijnë te çështja e konsensusit, te ky mirëkuptim, edhe reflektimi i tyre është i mirëpritur, mirë bëjnë që reflektojnë.

LSI është në fakt në koalicion me Partinë Socialiste. Tetë pikat për të cilat ju keni dhënë sugjerime shtesë, siç edhe vetë ju e cilësuat, ju ndajnë nga Partia Socialiste ose nga drafti i ekspertëve. Ndërkohë keni kërkuar përfshirjen e opozitës si domosdoshmëri në hartimin e këtij drafti, megjithatë kanë vërshuar edhe zërat për një afrim mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, gjë të cilën sot kryetari i PD i cilësoi absurde. Ndërkohë, ju si i cilësoni këto zëra?

Vasili: Unë do të thosha që në një farë mënyre, unë kam pasur fatin të jem në studion tuaj edhe në kohën e verës kur janë ndërtuar ato që quhen dosjet e thashethemet e verës, tani kemi këto të Vitit të Ri. Praktikisht, ne jemi të bashkuar dhe jemi në një forcë politike si mazhorancë për të kryer reformën në drejtësi dhe është aksion i kësaj mazhorance reforma në drejtësi. Nuk është as i asnjë mazhorance më parë. Të sugjerojmë dhe të pasurojmë materialin është detyra jonë, është pika ku na bashkon shqetësimi i njëjtë për një reformë kualitative. Pra është një moment bashkimi, jo ndarje. Kush do ta shohë në këtë drejtim, ka qejf thashethemin, nuk ka qejf gjërat parimore, nuk i pëlqejnë gjërat shumë parimore. Pra këtu kemi, duhet një reformë cilësore. Dhe kësaj reforme cilësore i bëjmë shërbim me të gjitha fuqitë tona. Në fund të fundit, të gjithë së bashku do i japim shqiptarëve një reformë të cilën besojnë. Në rast se do bënim indiferentin, do kënaqeshim edhe me standarde të ulëta apo me procese transparente etj, etj, këtu nuk do i bënim shërbim shqiptarëve në radhë të parë, por mazhorancës së bashku në radhë të dytë, sepse rezultate të dobëta apo një reformë e dobët, ku qytetarët nuk i prekin rezultatet e saj, nuk do na nxirrte mirë në sytë e qytetarëve. Pra, ne jemi të bashkuar si mazhorancë për të pasur një reformë cilësore, me standarde të larta, transparente dhe që respekton të gjithë filozofinë e Komisionit të Venecias. Kështu që, atë që dikush e shikon ndarje, unë e shikojmë një bashkim serioz, për një politikë të mirë dhe për një reformë të mirë dhe të qëndrueshme. Një reformë që, e thashë që në krye të herës, duhet të jetë e thellë dhe që të tronditë nga themelet edhe koorporatizmin dhe korrupsionin, por mbi të gjitha reforma e provuar si e tillë, dyert e gjykatave mos të jenë një mallkim për qytetarët, por të jenë institucione normale, ku ata të venë të kërkojnë drejtësinë dhe që do ta marrin atë në rast se ju takon me ligj dhe nuk do ta marrin në rast se ligji nuk ua jep. Por nuk është se do jetë në dorë të atij që paguan më shumë do marrë drejtësi dhe atij që është më i varfër nuk do ta marrë atë.

Ndërkohë referendumin si alternativë si e shikoni? Në fakt deri më tani ka pasur qasje të ndryshme, por a është i mundur të realizohet referendumi për reformën në drejtësi?

Vasili: Votuesit tanë na kanë besuar t’i përfaqësojmë ata dhe në radhë të dytë të ushtojmë në mënyrë të përgjegjshme vullnetin për ato që ata i shqetëson. E thashë edhe më lartë që në të gjithë sondazhet rreth 90 për qind e shqiptarëve nuk besojnë apo kanë vlerësimet e tyre më negative për drejtësinë. Rreth 90 për qind e shqiptarëve, të cilët nuk janë as votues të LSI, as të PD, as të PS, pra është një shqetësim i përbashkët. Të gjithë përfaqësuesit e këtyre votuesve janë në Parlamentin shqiptarë. Unë nuk besoj se ka ndonjë forcë politike që merr kurajën e rëndë politike dhe të mos e mbështesë reformën në drejtësi. Shqiptarët kanë mandatuar 140 burra dhe gra për ta bërë këtë punë. dhe mungesa e vullnetit në reformën në drejtësi do të thotë mos përfaqësim i votës që të kanë dhënë shqiptarët.

Leave a Reply