Regjistrim i ri digjital në Maqedoninë e Veriut në vitin 2026 ose 2027!

Pas njoftimit së heqjes me faza të balancuesit dhe ndryshimit të atij mjeti në pjesën e punësimit në sektorin publik për t’iu përshtatur rezultateve të Regjistrimit të vitit 2021 të popullsisë rezidente, qeveria paralajmëron edhe një regjistrim të ri që do të do të kryhet në vitin 2026 ose 2027, informon PRESSonline.al

Bëhet fjalë për realizimin e një regjistrimi tërësisht digjital, ndërsa vetëm 10 për qind e popullsisë do t’i nënshtrohet kontrollit të të dhënave në terren.

Në programin e Qeverisë, në kapitullin “Reformat në sistemin politik”, thuhet se “në procesin e përmirësimit të sistemit të regjistrit elektronik të popullsisë, Qeveria do të krijojë kushte për realizimin e regjistrimit digjital të popullsisë në vitin 2026.

PRESSonline.al nga burime qeveritare mëson se është e arritshme që të ketë një regjistrim të ri në vitin 2026 dhe se do të punohet për të lidhur regjistrat e popullsisë nga shumë institucione për të marrë një regjistër përkatës deri në vitin 2026.

“Deri në vitin 2026 duhet të sigurohen regjistrat dhe në vitin 2026/27, dhe me 10 për qind të popullatës të zbatohet regjistrimi në terren. Nuk ka kufizime kohore për regjistrim elektronik, ai mund të bëhet çdo vit, pasi të dhënat përditësohen vazhdimisht. Qëllimi është matja objektive dhe regjistri i popullsisë do ta lejojë këtë. Më së shumti na intereson migrimi, sa është lëvizja nga qytetet e vogla në Shkup, lëvizja nga fshati në qytet apo jashtë vendit”, thotë burimi ynë.

Leave a Reply