240 gjyqtarët e Unionit kanë paraqitur 30 rekomandime për reformën në drejtësi, ku ndër të tjera propozojnë që çdo përfaqësues politik, siç është ministri i Drejtësisë, të mos jenë pjesë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa pozicioni i Presidentit, nëse do të vendoset të jetë në KLD, të jetë thjesht honorifik dhe të mos ndikojë në emërimet e transferime, siç edhe ka ndodhur deri më tani.
Unioni kundërshton shkrirjen e Konferencës Gjyqësore Kombëtare, ashtu siç edhe përmendet në draftin e reformës, të mos ndërpritet mandati i anëtarëve të KLD dhe të mos krijohen superstrukura që mbivendosen, sikurse flitet për ngritjen e Komisionit të Verifikimeve.
Ky komision parashikohet të kontrollojë gjithçka mbi gjyqtarët, në një kohë që ekzistojnë strukturat që kontrollojnë pasurinë, etikën profesionalizmin e tyre, ndaj gjyqtarët mendojnë se në lidhje me një strukturë të tillë të kihet parasysh edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që refuzoi Byronë e Hetimit.
“Jemi të gatshëm të kontrollohet çdo qindarkë e pasurisë së gjyqtarëve, por gjithashtu jemi të vendosur t’u themi mjaft anatemimeve kolektive, përbaltjes së të gjithë sistemit dhe kërkojmë identifikimin e atyre personave. Mendojmë se është e padobishme krijimi i superstrukturave kushtetuese apo ligjore të cilat do t’u mbivendosen organeve që tashmë funksionojnë”, thotë kreu i Unionit të Gjyqtarëve, Gerd Hoxha.
“Është një moment shumë kritik, shumë i nxehtë sa i përket gjyqësorit. E them këtë në kuadër të reformës. Gjyqësori po anatemohet, me të drejtë apo pa të drejtë, varianti ynë është me pa të drejtë. Ka nevojë për drejtësi, për reformë. Çështja e reformës është një diskutim i gjerë dhe në fund të fundit do të thotë riformatim”, deklaroi Kastriot Gramshi, kreu i Shoqatës së Gjyqtarëve.
Në lidhje me gjykatën më të lakuar, atë të Lartë, e cila mendohet të kthehet në një gjykate karriere dhe ligji, gjyqtarët u shprehen se nuk është e nevojshme të shikohen ndryshimet kushtetuese, pasi ligjslacioni është ekzistent, siç edhe në nenin 141 të Kushtetutës, ku përmendet se Gjykata e Lartë ka funksionin e unifikimit të praktikës gjyqësore.
Gjyqtarët propozojnë të sanksionohet në ligj sistemi i gradave me tre shkallë, i cili do të parandalojë rikthimet e padrejta në sistem dhe do të ulte presionin ndaj gjyqtarëve në promovimin e tyre.
Ndërkohë, gjyqtarët janë kundër qëndrimeve sesi duhen rekrutuar gjyqtarët e rinj, ashtu si edhe refuzojnë qëndrimet për nënshtrimin ndaj testeve psikologjike.
Ne mendojmë, shprehen gjyqtarët, se duhet rritur mosha për këdo që synon gjyqësorin dhe nuk duhen marrë modele nga Ukraina, Serbia apo Kosova në luftën ndaj korrupsionit, pasi drafti nuk sqasron se çfare rezultatesh ka në këto vende.