Diferenca në votë mes Shpend Ahmetit të VV’së dhe Arban Abrashit të LDK’së, kur janë numëruar mbi 90 për qind e vendvotimeve në Prishtinë, është duke u ngushtuar. Dy kandidatët, që pas një muaji përballen në balotazh për kryeqytetin, janë më pak se 6000 mijë vota larg njëri-tjetrit
Kandidati i LDK’së për Kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka ngushtuar garën për të parin e kryeqytetit. Abrashi, i cili vetëm pak muaj para zgjedhjeve zyrtarizoi kandidaturën e tij për Prishtinë, ka arritur të jetë vetëm 5992 vota larg kryetarit aktual të kryeqytetit, Shpend Ahmeti, që shumë kohë më parë kishte bërë të ditur se do të kërkojë mandatin e dytë për komunë si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje.
Arban Abrashi në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, të mbajtura dje, ka marrë 28 mijë e 225 vota për kryetar të Prishtinës, shkruan Gazeta Express. Në përqindje atij i numërohen 35,87% e votave të kryeqytetasve, duke i mundësuar kështu pjesëmarrjen në balotazhin e nëntorit për komunën më të madhe në vend, kundër kryetarit aktual Shpend Ahmeti që morri 43,49 për qind të votave.
Kandidati i VV’së gjithsej ka rezultuar të ketë 34 mijë e 217 votues në komunën që e drejton nga viti 2014, të cilën e mori në balotazh me ish-kryetarin Isa Mustafa, të LDK’së. Rezultatet tregojnë diferencë të ngushtë mes dy kandidatëve, e cila nuk arrijnë as 6000 mijë vota dallim mes njeri-tjetrit.
Këto të dhëna janë zyrtare, të publikuar nga KQZ’ja, pas numrimit të 90,68% të vendvotimeve në Prishtinë. /GazetaExpress/