Kosovë: Zgjedhje të qeta pa incidente, balotazhi i nevojshëm

Në Kosovë u mbajtën zgjedhjet lokale për kryetarë komunash dhe kuvende komunale. Përqindja e daljes në votime jo e kënaqshme.

Në Kosovë u mbajtën zgjedhje të qeta pa ndonjë incident që do ta dëmtonte procesin, por me një pjesmarrrje jo të kenaqshme të qytetarëve. Zgjedhjet u mbajtën për kryetarë komunash dhe  kuvende komunale. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), thotë se pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje ishte rreth 44%. Numërimi i votave tashmë ka filluar menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit dhe rezultatet e para preliminare pritet të jepen paraditën e së hënës.

Në një sondazh të bërë nga Instituti ”Gani Bobi”, thuhet se të paktën gjashtë komunat më të mëdha të Kosovës do të shkojnë në balotazh, ku asnjëri nga kandidatët  për kryetarë  komune nuk ka arritur të kalojë 50% e nevojshëm për t’u bërë kryetar komune që në raundin e parë. Megjithatë, këto rezultate nuk janë zyrtare dhe partitë politike garuese në zgjedhje flasin për rezultate të tjera.

Zgjedhje lokale u zhvilluan në 38 komuna të Kosovës, përfshirë edhe katër komunat në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe. Të drejtë vote  kishin më shumë se 1 milion e 890 mijë qytetarë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tha se të hapura  që nga ora shtatë e mengjesit deri në orën 19 të mbrëmjes ishin 899 qendrave të votimit, me 2.505 vendvotime.

Në  zgjedhje kësaj radhe garuan 91 subjekte politike, prej tyre një koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur. 204 kandidatë ishin në garë për kryetarë të komunave, ndërsa, 6,887, kandidatë për asambletë komunale.

Për monitorimin e zgjedhjeve lokale, KQZ-ja kishte akredituar rreth 33 mijë e 200 vëzhgues, përshirë këtu edhe vëzhguesit e Bashkimit Evropian dhe të organizatave të shoqërisë civile dhe ambasadave.

Rrjeti i organizatave të shoqërisë civile që monitoruan të gjithë procesin zgjedhor, “Demokracia në Veprim”, (DNV) tha se votimi familjar akoma mbetet problem shqetësues në Kosovë, ndërsa, incidente të mëdha nuk u shënuan që do ta dëmtonin procesin e zgjedhjeve.

BE kritikon pjesëmarrjen e ulët në votim

Me daljen jo të kënaqshme të qytetarëve në votime është shprehur edhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, e cila tha se njerëzit nuk duhet ta humbin rastin dhe të votojnë për të ardhmën e tyre.

“Qytetarët duhet të mendojnë se për kë duan të votojnë. Ne duam të shohim persona të zgjedhur që janë meritor, njerëz që janë të respektuar, njerëz që e dinë mirë punën dhe njerëz që kanë përgjegjësi dhe duar të pastra”, vlerësoi Natalya Apostolova.

Në veri të Kosovës ndërkaq, zgjedhjet lokale u zhvilluan në një atmosferë paksa më të tensionuar për shkak të rivatiteteve të partive politike serbe, por pa incidente të rënda që do ta dëmtonin procesin zgjedhor. Rasti me serioz u shënua në pikën kufitare Kosovë-Serbi në Jarinje, kur brenda një autobusi që bartte serb nga Serbia për në Kosovë, u gjet një granatë dore dhe disa elemente siç thuhet përcellëse për shpërthimin e saj. Policia tha se granatat dhe elementet shpërthyese u asgjësuan, ndërsa në polici u shoqeruan tre persona. Zgjedhjet në veri në katër komunat e banuara me shumicë serbe, u lehtësuan nga OSBE-ja.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci, i vlerësoi zgjedhjet lokale të 22 tetorit si të mira duke thënë se “Kosova ka dëshmuar se ka ndërtuar traditë të mirë në organizimin e zgjedhjeve korrekte, të lira dhe demokratike”.

Në komunat ku asnjë kandidat nuk ka arritur 51% të votave të fituara do të  ketë sërish balotazh, afërsisht pas dy javësh ndërmjet dy kandidatëve që kanë siguruar më së shumti vota. /DW/

Leave a Reply