Ekspertë të çështjeve ndërkombëtare kanë kohë që kanë paralajmëruar rritjen e ndikimit të Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor. Vonesat e Bashkimit Evropian për të pranuar vendet e këtij rajoni në bllok, thonë analistët, mund të shtojnë hapësirat e këtij ndikimi duke vënë në konkurrencë Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin nga njëra anë dhe Kinën dhe Rusinë nga ana tjetër. Kolegia Rudina Dervishi bisedoi me dy ekspertë amerikanë, David Phillips, me Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia dhe Janusz Bugajskin, me Fondacionin Jamestown.
Kina dhe Rusia kanë kohë që po zgjerojnë ndikimin e tyre në Ballkan Perëndimor, duke përdorur strategji të ndryshme, me synimin e njejtë për t’iu kundërvënë Perëndimit, thotë analisti Janush Bugajski.
“Putini e kupton se nuk mund të përfshihet në një sulm të drejtpërdrejt kundër Perëndimit, por mund ta minojë atë duke shfrytëzuar pikat e dobëta. Dhe, sigurisht, Ballkani dhe në veçanti Ballkani Perëndimor, është pika e dobët për Perëndimin// Kina, mendoj se ka një strategji më afatgjatë që bazohet më shumë në kontrollin ekonomik dhe që eventualisht mund të shndërrohet në më shumë kontroll dhe ndikim politik në rajon”, thotë zoti Bugajski.
Kina po i përdor investimet në Ballkanin Perendimor për synime ideologjike, thotë analisti David Phillips, ndërsa kërkon të sigurojë heshtjen apo mbështetjen e këtyre vendeve në arenën ndërkombëtare.
“Interesat e Kinës në Ballkanin Perendimor nuk janë thjesht financiare, por ideologjike. Kina kërkon të ndërtojë një rrjet vendesh totalitare tek të cilat mund të mbështetet në rast të një konflikti apo krize//Siç e kemi parë, Serbia ka mbështetur shtypjen e ujgurëve nga Kina dhe shkeljen e të drejtave të njeriut në Hong Kong”, thotë analisti.
Investimet kineze në rajonin e Ballkanit janë bërë në formën e huave dhe jo të investimeve të drejtpërdrejta, duke shtuar rrezikun e vartësisë së tyre tek borxhet nga Kina, thotë analisti Bugajski.
“E kemi parë këtë në Mal të Zi, me investimet e kompanive të cilat kontrollohen nga qeveria kineze, ose janë në pronësi të saj. Ata përpiqen të bindin vendet të marrin hua të shumta nga Kina, nga bankat kineze, që më pas i bën këto vende të varura”, thotë analisti.
David Phillips thotë se Rusia nga ana e saj vazhdon ta përdorë Serbinë për të kundërshtuar ndikimin e Shteteve të Bashkuara në rajon.
“Rusia ka vetëm një interes dhe ai është të ndalojë Shtetet e Bashkuara të konsolidojnë partneritetin e tyre në Ballkanin Perendimor, qoftë kjo duke u përpjekur të mos lejojë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, apo duke mbështetur axhendën e Serbisë”, thotë zoti Phillips.
Regjimi i Putinit thotë analisti Bugajski nuk dëshiron një marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës dhe e ka përdorur Serbinë për të krijuar probleme në Ballkan.
“Unë do të thosha se ata janë më shumë kundër një marrëveshjeje sesa ndoshta disa politikanë në Beograd dhe po e përdorin Serbinë sigurisht për avantazhin e tyre, sepse Serbia është si një gjemb në Ballkan, që ata mund ta përdorin për interesat e tyre //. Pra për Rusinë, Serbia është një vegël e dobishme për të krijuar probleme”, thotë zoti Bugajski.
Të dy analistët janë skeptikë për ndonjë përparim në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit, nëse ato do të vazhdojnë të ndërmjetësohen vetëm nga Bashkimi Evropian ndërsa kërkojnë një presion më të madh nga Shtetet e Bashkuara.
“Ka ardhur koha për një qëndrim më të ashpër mbi negociatat dhe për një strukturë të re që do t’i vendoste Shtetet e Bashkuara si një lojtar kryesor përmes të dërguarit të tyre të posaçëm presidencial për dialogun Serbi- Kosovë. Nëse ia lëmë BE-së, asgjë nuk do të ndodhë”, thotë zoti Phillips.
“Mendoj se Amerika mund të kërkojë njohjen e ndërsjellë, siç deklaroi administrata Biden sapo mori detyrën kur parashtroi planet e saj për Ballkanin. Kjo është ajo që pritet nga Shtetet e Bashkuara”, thotë zoti Bugajski.
Analisti Phillips e sheh luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e demokracisë si hapa të rëndësishëm të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“BE-ja është një koalicion i vendeve që ndajnë vlera. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë provuar se ndajnë të njëjtat vlera. Goditja e korrupsionit, forcimi i demokracisë shumëpartiake janë hapat e ardhshëm të rëndësishëm. Kur Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të ndërmarrin këto hapa, nuk duhet të ketë pengesa për integrimin më të gjerë në BE dhe nj[ bashkëpunim më të gjerë Euro-Atlantik”, thotë analisti Phillips.
Por analisti Bugajski parashikon se problemet me të cilat përballet Evropa (si në drejtim të udhëheqjes së saj pas largimit të kancelares Merkel ashtu edhe pas pandemisë) do ta bëjnë të vështirë përparimin e këtyre dy vendeve drejt Bashkimit Evropian. Analisti pret ndërkohë që Moska të ushtrojë më shumë presion në Ballkan për të minuar integrimin perëndimor dhe për të krijuar ndoshta konflikte të reja që mund të shkojnë më larg atyre që kemi parë gjatë pesë apo 10 viteve të fundit. “Nuk do të çuditesha që Moska të provojë të nxisë një lloj konflikti të dhunshëm në rajon”, thotë analisti.
Analisti David Phillips tërheq vëmendjen për një qasje më vigjilente ndaj Kinës, për të kuptuar interesat dhe axhendën e saj dhe për të kundërshtuar përpjekjet e saj për të minuar demokracitë e stilit perëndimor, në mënyrë që modeli i qeverisë totalitare të Kinës të mos mbizotërojë./VoA