Azerbajxhani e akuzoi të mërkurën Armeninë për përpjekje të sulmimit të gazsjellësit dhe naftësjellësit dhe paralajmëroi kundërpërgjigje të ashpër, ndonëse vendet nënshkruan një marrëveshje armëpushimi disa ditë më parë.
Retorika e ashpër mes vendeve fqinje e nxiti Rusinë që përsëri të bëjë thirrje për respektim të armëpushimit humanitar në Nagorno-Karabak, që nga komuniteti ndërkombëtar njihet si pjesë e Azerbajxhanit.
Komuniteti ndërkombëtar i ka dhënë vëmendje të madhe këtij konflikti për shkak se andej kalojnë gazsjellësit dhe naftësjellësit nga të cilët furnizohen tregjet ndërkombëtare.
Presidenti azer, Ilham Aliyev, tha gjatë një interviste për një televizion turk se Armenia po përpiqet t’i sulmojë dhe t’i marrë nën kontroll gazsjellësit dhe naftësjellësit e Azerbajxhanit. “Nëse Armenia përpiqet ta marrë kontrollin e gypave tanë, mund të theme se rezultati do të jetë i ashpër për ta”, tha ai.