Shkak stërvitja ushtarake e koreano-veriorëve
Tensionet po përshkallëzohen sërish në Gadishullin Korean. Shkak u bë Koreja e Veriut, e cila lëshoi më shumë se 200 predha artilerie në brigjet perëndimore, drejt ishullit Jeonpjeong të Koresë se Jugut.
Kjo stërvitje e ndërmarrë, u cilësua nga Seuli si një akt provokues që kërcënon paqen dhe rrit tensionet mes dy shteteve. Por Peniani mohoi që ishujt ishin në rrezik nga ky demonstrim ushtarak.
Media shtetërore e Penianit bëri të ditur se stërvitja ushtarake ishte një kundërpërgjigje ndaj demonstrimeve në shkallë të gjerë të ndërmarrë nga fqinji i tyre.
Sakaq udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un duke vizituar një fabrikë të prodhimit të mjeteve ushtarake bëri thirrje për rritjen e prodhimit të makinerive të ndryshme të njohura si lëshuese të raketave.
Ai e cilësoi një detyrë të rëndësishme për “përballjen ushtarake” me armikun. Zona përreth kufirit detar ka qenë skenë e disa konfrontimeve mes luftanijeve nga të dy vendet në të kaluarën. Koreja e Veriut nuk e njeh të ashtuquajturën Linja Kufitare Veriore.