Shtatë persona kanë përfunduar në pranga gjatë një operacioni të antidrogës në Rimini të Italisë, të dyshuar si pjesëtarë të një organizate ndërkombëtare të trafikut të narkotikëve.
Operacioni i koduar “Free Flight” është fryt i bashkëpunimit të karabinierëve të Riminit, atyre të Brindizit dhe policisë shqiptare, shkruajnë mediat italiane.
Sipas hetuesve, grupi i goditur nga operacioni në fjalë importonte në Itali nga Shqipëria sasi të mëdha drogash të tipit marijuanë, të cilat ishin të destinuara për tregun italian.
Hetimet u koordinuan nga Drejtoria Rajonale e Antimafias së Bolonjës dhe Prokuroria e Riminit; në kuadër të tyre u sekustruan edhe 3 kuintalë e gjysmë hashash.
Lëndët narkotike transportoheshin drejt vendit fqinj, mes të tjerash edhe me avion, nga zona e Pishporos në Vlorë, e kishin për destinacion të gjithë rivierën e Romanjës.
Ndërkohë, bashkëpunimi me Drejtorinë Qendrore të Shërbimeve të Antidrogës ka sjellë edhe identifikimin e elementëve shqiptarë e italianë të fushës së krimit, që nuk janë të përfshirë vetëm në trafikun e drogës, por edhe në grabitjet e vilave e apartamenteve.
Përpos 7 të ndaluarve në Brindizi dhe dy të arrestuarve në flagrancë gjatë një vjedhjeje, hetimet kanë lejuar të përvijohet edhe struktura e aktivitetit kriminal, të drejtuar nga piloti shqiptar Vilson Lamaj, njeriu që kontaktonte sa me kultivuesit në Shqipëri, aq edhe me blerësin në Itali. E përpos kësaj, ai kujdesej edhe për pagesat e transportit.
Biznesi i paligjshëm po shkonte aq mirë, sa anëtarët e grupit, ku bënin pjesë ndër të tjerë edhe kushërinjtë Elizer dhe Xhesian Hametaj, përveç frekuentimit të rregullt të eksporteve të luksit e klubeve të natës, kishin mundur të blinin edhe një avion të ri më të madh e më të fuqishëm.