Rrugët që bllokohen për samitin në Tiranë

Kufizimet në 17 akse rrugore nisin që të hënën në orën 14:00 deri në përfundim të takimit të liderëve europian

Edhe pse samiti i Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor do të mbahet në Tiranë të martën, Policia e Shtetit ka vendosur që të bllokojë 17 akse rrugore me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë që të hënën. Bllokimi i rrugëve nis që në orën 14:00 me 5 akset rrugore nga Aeroporti i Rinasit, Qafë-Kashar, ish-Sheshi Shqiponja, Unaza e Madhe, Rrethrrotullimi i qytetit “Studenti”, deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”.

12 rrugë të tjera do të jenë në afërsi të qendrës së kryeqytetit, në perimetrin e sigurisë të vendosur nga autoritetet. Në këto rrugë është kërkuar nga policia që të hiqen automjetet e parkuara.

Duke qenë se e marta do të jetë ditë e zakonshme për qytetarët, për banorët rezidentë, punonjësit e institucioneve, apo gazetarët që do ndjekin punimet e samitit, janë përcaktuar 6 rrugë ku do të kalohet vetëm në këmbë. Ata do të lejohen të kalojnë vetëm me dokumentin e punës dhe kartën e identitetit, ndërsa rezidentët do të shoqërohen deri në banesë edhe nga forcat e policisë.

Gjithashtu kufizime të tjera të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë – Fushë Krujë – Vorë”. Ky kufizim bëhet për shkak të delegacioneve që do mbërrijnë nga pika kufitare e Hanit të Hotit dhe të Morinës.

Për mbajtjen e samitit Policia e Shtetit ka në gatishmëri më shumë se 1500 forca policie, të të gjitha strukturave të kupolës blu përfshirë këtu në maksimum kapacitet njerëzore dhe logjistike.

Leave a Reply