400 mijë viktima në botë nga Covid, 7 milionë të prekur
Shifrat e koronavirusit shënojnë të tjera nivele të larta. Numri i të prekurve në të gjithë botën arriti në 7 milionë, mes të cilëve tashmë numërohen mbi 400 mijë të vdekur dhe mbi 3.1 milionë raste aktive infektimi.
Aktualisht Rusia ka nivelin më të lartë të infektimeve ditore, ku vetëm në 24 orët e fundit janë identifikuar afro 9 mijë të infektuar të rinj. Ky vend vijon të ketë një prej vdekshmërive më të ulëta në botë 1.2%. Për nga numri i të prekurve, Rusia renditet e treta në botë.
Problematike është situata në Amerikën Latine, me Brazilin që renditet vendi i dytë në botë pas Shteteve të Bashkuara dhe ku niveli i vdekjeve dhe infektimeve ditore vijon të jetë i lartë.
Presidenti Jair Bolsonaro nga e djathta radikale urdhëroi të mos publikohen më të dhënat më të fundit për koronavirusin. Mediat sipas tij, po shfrytëzojnë shifrat për të nxirë të vërtetën me situatën e COVID-19 në këtë vend. Po ashtu, Bolsonaro paralajmëroi edhe tërheqjen nga OBSH nën shembullin e Presidentit amerikan Donald Tramp.
Meksika dhe Pakistani janë vendet që kanë po ashtu nivele të larta infektimesh ditore, përkatësisht 3 600 dhe 4 900. Edhe në Iran, COVID-19 duket se ka nisur valën e dytë të infektimeve. Pas një rënieje disa ditore të shifrave të të infektuarve, infektimet e 24 orëve të fundit kanë arritur sërish në mbi 2 mijë. Por autoritetet thonë se kjo ndodh për shkak të shtimit të numrit të testimeve.
Për OBSH-në, Europa tashmë nuk është më një problem, teksa infektimet ditore janë në minimumin e mundshëm.