Moska e paralajmëroi SHBA-në që të mos përzihen në punët e brendshme të Iranit, dhe e akuzoi Uashingtonin se po përpiqet t’i shfrytëzojë protestat aktuale antiqeveritare në këtë vend që ta minojë marrëveshjen për kufizim të programit bërthamor iranian.
“Ajo që ndodh në Iran është punë e saj e brendshme, e cila e tërheq vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare. Por, edhe krahas tentimeve të shumta që të shtrembërohet esenca e ndodhive të atjeshme, unë jam i bindur se fqinji ynë – vendi jonë miqësor, do të arrijë t’i tejkalojë vështirësitë e tanishme dhe të dalë nga periudha si vend më i fuqishëm dhe si partner i sigurt në zgjidhjen e problemeve të ndryshme, duke i përfshirë edhe ato të cilët janë të lidhura me përmbushjen e mëtejshme (të marrëveshjes bërthamore)”, deklaroi zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Sergej Rjabkov.
Sipas Rjabkovit, në situatën e tanishme Uashingtoni i është dorëzuar tundimit që ta shfrytëzojë momentin që të vendosë pyetësorë të rinj para marrëveshjes, që tregon se bëhet fjalë për tentim të qëllimshëm që të lëkundet marrëveshja dhe ta minojë besimin e bashkësisë ndërkombëtare në të.