“U mësuam me këto ‘janaret’ e ‘shtatoret’, por korrupsioni nuk luftohet me fushata!”

Ambasadori amerikan ka paralajmëruar se janari do të çojë pas prangave “peshqit e mëdhenj”.

Por për ish-kryeprokurorin Theodhori Sollaku, korrupsioni nuk luftohet me fushata apo afate kohore.

Sollaku: Jemi mësuar me këto janaret, shtatoret, dhjetoret, nuk mendoj se lufta kundër krimit, veçarisht e korrupsionit nuk bëhet me fushata, afate. Duhet të ngrihet institucionet, të ketë vullnet politika për të mos mbështetur asnjë rast që është pjesë e korrupsionit, pastaj situata ecën normalisht. Nuk është se duhet domosdo janari apo shkurti. E rëndësishme është që kur ka prova, fakte mbi një zyrtar i kujdo niveli qoftë, organet e drejtësisë të veprojnë.

Në intervistën e mbrëmjes në Ora News, Sollaku thotë se me rëndësi është që prokuroria dhe gjykata të vendosin para akuzës cilindo zyrtar nëse ka prova.

Sollaku: Problemi i peshqve të mëdhenj apo të vegjël, kjo është çështje që koha do ta tregojë.Por organi i procedurës, prokuroria dhe gjykata tani, kanë për detyrë që i madh apo i vogël, po janë faktet, po janë provat për ti vënë para akuzës duhet të vihen. Pavarësisht se çfarë emri ka, është politikan apo qytetar i thjeshtë.Do të thuash që në këtë periudhë është hezituar në vendosjen para përgjegjësisë penale të zyrtarëve të lartë dhe politikanëve, kjo është jo vetëm e hezimit të prokurorisë dhe gjykatës por edhe e grumbullimit të provave për të provuar akuzën ndaj një zyrtari.

Pavarësisht se është politikan, pavarësisht se shkruajnë mediat, edhe ai është qytetar dhe ka të drejtën të ketë disa garanci që të prezumohet i pafajshëm derisa akuza ti gjejë provat dhe ti thotë që akuzohesh për 1,2,3, 4, faktet janë 1,2,3,4 dhe më jep ti opinion tënd.Po nuk u gjetën prova, mendoj se nuk kemi nevojë për gjueti shtrigash por procese të rregullta ligjore pavarësisht nëse është Ministër, deputet, politikan apo qytetar i thjeshtë.

Sollaku thotë se problemi kryesor nga e cila vuan drejtësia penale është hetimi.

Sollaku: Drejtësia penale ka shumë probleme por baza është hetimi. Ka vite të tëra që hetimi po kalon nga një dorë në dorën tjetër, diku thotë policia e kam unë, diku thotë prokuroria e kam unë, diku ja lënë topin njëri-tjetrit, por baza është hetimi.Shqipëria akoma nuk po vë si duhet policinë gjyqësore në baza të shëndosha, me infrastrukturë, njerëz profesionistë,me njerëz që e njohin mirë kodin e procedurës penale, me njerëz që i dinë mirë taktikat dhe teknikat e hetimit.

Shteti dhe partnerët ndërkombëtare gjatë kësaj periudhe punojnë për aftësimin e këtyre strukturave. Ne jemi një vend që stabiliteti i këtyre strukturave shkon paralelisht me stabilitetin e marrëdhënieve të institucioneve të tjera, e politikës, e drejtësisë, e prokurorisë.Nuk mendoj që do të ketë ndonjë boom në përforcimin dhe pasjen në një kohë sa më të shpejtë të strukturave të mirëorganizuara dhe të specializuara për hetimin.

Të shohim çfarë efekti do të ketë SPAK dhe Byroja e Hetimit që pritet të ngrihet së shpejti. Por në fund të fundit ata nuk janë gjë tjetër veçse oficerë të policisë, të cilët besoj se do të kenë një trajtim më ndryshe, do të jenë më të motivuar, do të kenë garanci më të mëdha për të qëndruar në detyrë dhe ndoshta kjo do ti bëjë ata për të qenë më të prokupuar për ti çuar deri në fund çështjet./Oranews

Leave a Reply