Forcat ruse bombarduan të dielën qendrën e Khersonit, qyteti kryesor nga i cili u tërhoqën muajin e kaluar ushtarët rusë në një nga humbjet më të mëdha të Moskës në fushën e betejës në Ukrainë.
Tre persona u plagosën në sulme, tha zëvendës shefi i zyrës presidenciale, Kyrylo Tymoshenko.
Qyteti jugor dhe rajoni përreth tij janë sulmuar shpesh që pas tërheqjes ruse. Guvernatori rajonal Yaroslav Yanushevych tha të dielën se Rusia kishte kryer 54 sulme me raketa, mortaja dhe tanke të shtunën, duke vrarë tre persona dhe plagosur gjashtë.
Ndërkohë, në Rusi, guvernatori i rajonit të Belgorodit, Vyacheslav Gladkov, tha të dielën se një person u vra dhe tetë u plagosën nga granatat ukrainase në zonën që shtrihet përgjatë kufirit verior të Ukrainës.
Javët e fundit forcat ruse kanë vënë në shënjestër intensivisht infrastrukturën ukrainase, si linjat e furnizimit me ujë dhe energji elektrike, duke shtuar vuajtjet e ukrainasve me fillimin e dimrit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy përdori finalen e Kupës së Botës për të dënuar luftën.
“Ky Botëror vërtetoi shpesh se vende të ndryshme dhe kombësi të ndryshme mund të vendosin se kush është më i forti në një betejë të ndershme, por jo në lojën me zjarrin – në fushën e gjelbër të lojës, jo në fushën e kuqe të betejës,” tha zoti Zelenskyy në një video deklaratë publikuar disa orë përpara finales në Katar mes Argjentinës dhe Francës.