Meqë u shterrën të gjithë organet dhe institucionet e Bashkësisë Fetare Islame të Shaqir Fetait, meqë u shterrën deputetët, drejtorët, funksionarët e BDI-së, partisë që e instaluan në postin e “reisit”, meqë u shterrën edhe funksionarët kryesorë të pushtetit aktual maqedonas, të cilët, që të gjithë i shprehën urime dhe përshëndetje Shaqir Fetait për kapjen e kreut të BFI-së me intriga e dredhira dhelpërake, këtë praktikë kanë vendosur që ta vazhdojnë edhe të gjithë bashkësitë fetare islame si dhe grupet religjioze që praktikojnë besimin islam(!)
Kanë vendosur që Shaqir Fetain ta përshëndesin dhe ta urojnë si dhe t’i dëshirojnë suksese në shkelshmëri të Kushtetutës së BFI-së, këta subjekte fetare e religjioze:
- Bashkësia Islame Selefiste, Shkup;
- Bashkësia Fetare Bektashiane me seli në “Hadër Baba Teqe”, në Kërçovë;
- Komuniteti i grupit kaderi “Xheneti” në Kumanovë;
- Komuniteti i Grupit Bektashian Ehlibejtiane të Maqedonisë së Veriut, Kërçovë;
- Ehli Sunet ve Xhemat (Xhamia Trizlla), në Prilep;
- Komuniteti i Grupit të Tarikatit Sufij, me seli në Teqe, Shkup;
- Bashkësia e Xhematit Ehli Sunet – Kumanovë;
- Froni i shenjtë i erfenëve sufistë;
- Komuniteti i grupit Kaderi Bedevi “Zekerija” – Kumanovë;
- Bashkësia Fetare Bektashiane me seli në Arabati Baba Teqe”, Tetovë.
Kjo është pasqyra e “unitetit” të besimtarëve të cilën e paraqet Shaqir Fetai. Ai, për momentin, është tepër i lumtur për këtë “unitet”, sepse, thellë në vete beson se, situata e përçarjes mund të jetë edhe më katastrofale. Ky është misioni i Shaqir Fetait: ta kamuflojë unitetin e myslimanëve të vendit dhe ta paraqesë si shumë të kënaqshme. Madje, flitet se në mes të këtyre grupeve sektariane ka një marrëveshje që, Shaqir Fetain ta lënë të qetë, mos t’i dalin zot secili komunitet vakëfit në vendin e vet, ndërsa si kundërshpërblim Shaqir Fetai do t’i darovisë me buxhet nga fitri e zeqati. Myslimanët e vendit, përmes Shaqir Fetait, do të kontribuojnë financiarisht në sektarizim të besimtarëve. Situata vetëmsa do të vie e do të përkeqësohet shumë e më shumë, sepse, sa më e parcializuar shoqëria myslimane aq më i plotë (si gjeldet, si kaposh) Shaqir Fetai, si ato tollumbacet që provohen deri sa të pëlcasin dhe askund të mos u gjenden copët.