Sajesat ‘letrare’!

Midis nesh

Projektet “antologjike” që tashmë janë shndërruar në trend po dëshmojnë se ato nuk bëhen për të plotësuar ndonjë hapësirë të zbrazët në letërsinë tonë bashkëkohore, por thjeshtë për të plotësuar interesat egoiste të individëve dhe grupeve të caktuara.
Se vërtet janë shndërruar në trend, këtë më së miri e dëshmojnë vetë “përpiluesit” e këtyre projekteve, të cilët, po që se bëhet një anketë publike në ndonjë medium serioz, pa asnjë hamendje do të del se bëhet fjalë për individë jo siç mendojnë ata vetë (se janë alamet krijuesish), por thjeshtë diletantë, mbase anonimë.
Kur bëhet fjalë për antologjitë poetike, atëherë deri diku është i arsyeshëm subjektivizmi, por të shkohet deri në atë masë dhe të bëhesh, siç thuhet ndër popull: “me zor budalla”, kjo vërtet tregon se defekti është më shumë se serioz, sepse në fund të ditës del se e gjithë kjo bëhet për do farë përjetimesh të imta të atyre që kanë ngelur të pa përjetuar.
Por, se çfarë ka shpija, më mirë të tregon çarshia. Kurse çarshia thotë se shpesh, këto projekte, përgatiten nga individë tjerë dhe (për qëllime e kundërvlerë të caktuar) ju jepen të gatshme pikërisht atyre që s’kanë përjetuar “kënaqësi letrare” (për të mos thënë “orgazëm letrar”) dhe hop, pa pritur, brenda natës, bëhen “autorë” të projekteve që pretendojnë të jenë serioz dhe të cilëve “autorë” nuk u besojnë as anëtarët e familjes më të ngushtë.
Tashmë është shumë e dukshme se cilët grupime qëndrojnë prapa këtyre sajesave “letrare”, sepse vetëm ata konsiderohen të paharrueshëm, ndaj dhe mendojnë se kanë shkuar përtej harrimit. Por, përballë harrimit është e kundërta, kujtesa e freskët, në të cilën gjendet panteoni i poetëve tanë të shumtë (të vdekur e të gjallë), pa të cilët letërsia shqiptarë as që mund të imagjinohet.
Përtej këtij harrimi brenda tri ditëve do të harrohen vetë përpiluesit e këtyre projekteve (të gatshme), sepse thjeshtë qëllimet dhe interesat grupore janë të destinuara t’i nënshtrohen harresës, pavarësisht faktit se u vetë-reklamuan dhe e uruan njëri-tjetrin në pasarelat e rrjeteve sociale.
Është e pashpjegueshme dëshira e shumë individëve për t’u futur në rrugët qorre vetëm e vetëm për të bërë famë. Por, duhet të jetë e qartë se fama nuk bëhet me budallallëqe të natyrave të ndryshme, ngjashëm, si për shembull, edhe me Kapërcimin e Ylberit, sepse edhe përtej tij nuk ndryshon gjë, mediokri mbetet mediokër.
/HEJZA/

Leave a Reply