Gjatë fjalës së tij, Berisha bëri thirrje që qeveria të zbatojë 3 masa në kushtet e krizës energjetike.
“Rikthimi i Sali Berishës ka ndodhur më 6 Mars”, ish-kryeministri: Do garoj për kryetar të PD!
Ish-Kryeministri thotë se rikthimi i Sali Berishës ka ndodhur më 6 Mars dhe ritheksoi se i qëndronte pa dyshim deklaratës së tij se do të garojë për kryetar të PD.
“Nuk mund të gjesh deklarata të Sali Berishës që ai nuk i ka qëndruar. Dhe ata që mendojnë këtë gabojnë. Sali Berisha pra 4-5 muajsh ishte një deputet i thjeshtë, pas asnjë lloj funksioni publik. Me humbjen e partisë së tij aksionet e tij sikundër dhe të partisë ranë në shifra të mjera. Por vendimi i tij bëri që aksionet e PD dhe të atij personalisht të rriten në një kohë të shkurtër më shumë se kujtdo tjetër në Shqipëri. Besoj se në rast se 6 Marsi faktoi katërcipërisht një të vërtetë, ajo e vërtetë është rikthimi i Sali Berishës me një mbështetje prej 31% të elektoratit shqiptar.
Nuk kam bërë ndonjë herë kurrë një fushatë kaq intensive, u detyrova të bëj këtë jashtë dëshirës time. Për ata që i njohin zgjedhjet kjo ishte personalizim… Unë doja t’u thoja zgjedhësve: Unë jam Sali Berisha, ky që thotë zonja guvernatore dhe ky që i kanë marrë logon me të cilën ajo parti ka garuar për 30 vite. Të gjitha këto i them këtu se është jashtë çdo lloj imagjinate unë të devijoj nga ky kurs, nga vendimi im i shpallur para demokratëve që unë sigurisht do garoj për kryetar të PD. Dhe do pranoj rezultatin e demokratëve pa asnjë koment! Rikthimi ka ndodhur më 6 Mars, ai nuk zhbëhet më përveçse me votën e qytetarëve shqiptarë.
Berisha: Nuk do të ketë parti të re
Ish-kryeministri Sali Berisha tha se Partia Demokratike është opozitë e vërtetë dhe nuk do të ketë parti të re. Ai shtoi se Lulzim Basha nuk mund të marrë peng pluralizmin politik.
“Nuk do të ketë parti të re, kjo është Partia Demokratike, opozitë e vërtetë. Nuk mundet të marrë peng pluralizmin politik një njeri. Atë e mban Edi Rama, nuk e besoj të shkonte kaq poshtë me veten e tij”, tha Berisha.
Komisioni i Rithemelimit të PD hyri në zgjedhjet e 6 Marsit në një koalicion me emrin “Shtëpia e Lirisë”.
Berisha fton deputetët që dolën kundër Bashës: Bashkohuni për konsolidimin e PD
Ish-kryeministri Sali Berisha i cilësoi të drejta reagimet e deputetëve demokratë që dolën kundër Lulzim Bashës pas humbjes në zgjedhjet e 6 Marsit dhe i ftoi t’i bashkohen PD.
“Kam ndjekur zhvillimet brenda selisë së Lul Bravës dhe bunkerit, vlerësoj dhe përshëndes qëndrimet e deputetëve të PD të cilët sapo konstatuan me fakte nga qëndrimin e elektoratit shqiptar, se brava opozita është e shtirur, false, ata shprehën qëndrimet e tyre të drejta. Kërkuan vendi të cilat Lul Brava nuk i merr kurrë se nuk e lejojnë. Unë i ftoj të bashkohen me PD, të kontribuojnë në konsolidimin e saj. I garantojnë plotësisht se ligji i pandryshueshëm dhe i vetmi kusht i këtij bashkimi është vota e lirë”.
Kongres pajtimi? Sali Berisha: I gatshëm për çdo propozim që vendos në epiqendër votën e lirë
Ish-kryeministri Sali Berisha zhvilloi një konferencë për shtyp këtë të mërkurë dhe u pyet nga gazetarët nëse është dakord për një kongres pajtimi brenda Partisë Demokratike.
Berisha u shpreh i gatshëm për “çdo propozim që vendos në epiqendër votën e lirë”.
“Jam i gatshëm për çdo propozim që vendos në epiqendër votën e lirë të demokratëve shqiptarë, i vetmi moment është sepse dëgjon ndonjëherë debate, mund të them, edhe analistë të cilët flasin për çdo gjë, por jo për votën. Unë ju them shqiptarëve që gjithçka ka ndodhur në kundërshtim me interesat e tyre këto vite, largimi masiv i shqiptarëve nga Shqipëria, rritja e varfërisë ekstreme, të gjitha këto kanë një emërues të përbashkët dhunimin e votës së tyre. Bëj thirrje jo vetëm demokratëve, por i bëj thirrje çdo shqiptari që të kthejë në vëmendje të plotë votën e lirë”, u shpreh Berisha.
Berisha: 70% e opozitës u rreshtua krah meje, Basha mori një numër të caktuar votash prej logos
Sali Berisha u shpreh këtë të mërkurë se zgjedhjet e 6 Marsit u zhvilluan në kushte të jashtëzakonshme. Megjithatë zgjedhjet e pjesshme, sipas ish-kryeministrit treguan mbështetjen që demokratët kanë për të dhe Bashën.
Berisha u shpreh se një pjesë e caktuar e votave shkuan për Bashën vetëm prej logos.
“Raporti i mbështetjes mes Sali Berishës dhe Lulzim Bravës ishte ekzakt ky që tregoi 6 Marsi. Fare i kundër me të ishte raporti kur vinte puna tek votimi për logot. Por kjo u kapërcye me një punë shumë të madhe, natyrisht kurrë 100%. Një përqindje e caktuar e votave janë për shkak të logos në krahun e “Lul Bravës”. Kjo është e njohur, është elementare. Sikundër ky fakt. Kalimi i logos ishte dekurajim i madh për qytetarët që të dilnin në votime. Nuk jam ai që them siç bën “Brava” me Binomin e tij Stanishiç Zogaj që fajin e kanë skeptikët. U shpreh nderimin më të madh atyre që votuan më 6 Mars, por shpreh respekt dhe mirëkuptim për ata që qëndruan në skepticizmin e tyre. Nuk i bëj ata përgjegjës për asgjë. I siguroj se me 7 Mars, preukopimi i parë i imi ka qenë se si të punoj që këta zgjedhës, këta opozitarë t’i bindim që të bashkohen në betejën tonë të ardhshme në zgjedhjet lokale pas 1 viti. Jam optimist që vetë 6 Marsi është kushtrimi më i fuqishëm për këta të quajtur skeptikë nga Basha dhe binomi i tij. Vetëm sa nuk thonë që fajin e skeptikë që nuk dolën në votim”, u shpreh Berisha.
Lideri historik i demokratëve u shpreh më tej se Berisha u ka premtuar shqiptarëve vetëm votën e lirë dhe vetëm prej kësaj 70% e popullit opozita u rreshtua në krahun e tij.
“Duke vlerësuar çdo lloj propozimi mund të them një gjë, ata të cilët nuk kanë respekt për votën, dëshmojnë një mentalitet totalitar mjeran. Çfarëdo qofshin. Gjithçka Sali Berisha në këtë kohë të shkurtër nuk u ka premtuar shqiptarëve asgjë tjetër përveç votës së lirë. Nëse bëni analizën si ka mundësi që 70% e popullit opozitar u rreshtua në krahun e tij, kjo ka vetëm një shpjegim, sepse ata duan votën e lirë. Çdo politikan, çdo gazetar, çdo analist që do të debatojë për problemin në rast se del jashtë boshtit të votës së lirë, pastaj ka një arsyetim “sui generis”, të rrezikshëm që s’ka asgjë të përbashkët me arsyetimin e njerëzve të lirë”, tha Berisha.
Berisha: Më 6 Mars demokratët votuan Partinë e vërtetë Demokratike
Ish-kryeministri Sali Berisha tha se 6 Marsi tregoi se cila është opozita e vërtetë. Në një konferencë për shtyp këtë të mërkurë, ai u shpreh se demokratët votuan për Partinë e vërtetë Demokratike.
“Unë mendoj se zgjedhjet e 6 Marsit nxorën në dritën e diellit se Shtëpia e Lirisë në të cilën PD ka rolin kryesor, përbën opozitën e vërtetë shqiptare. Më 6 Mars 70% e popullit opozitar, votoi për Shtëpinë e Lirisë, Partinë e vërtetë Demokratike. Ky ishte një nga produktet më të rëndësishme të 6 Marsit. Qytetarët shqiptarë që i dhanë përgjigje të merituar Edi Ramës, i treguan se lojë me peng opozitë ata nuk e pranojnë, por e hodhën në kosh të plehrave. Ftoj çdo demokrat që të lexojë mesazhin e datës 6 Mars, dhe të bashkohemi si opozitë e vërtetë për të ecur drejt fitores së sigurt në zgjedhjet e ardhshme”.
Berisha: Të hiqet TVSH e naftës dhe energjisë elektrike! Bonus për familjet në nevojë për të përballuar krizën energjetike
Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbajtur një konferencë për shtyp këtë të mërkurë ku ka folur për rritjen e çmimit të naftës. Ai bëri publike kërkesat e PD për masat që duhen marrë në këtë situatë. Berisha kërkoi heqjen e plotë të TVSH për naftën dhe energjinë elektrike si dhe kërkoi bonus për familjet në nevojë që të përballojnë krizën energjetike.
Berisha paralajmëroi që “të merren masa urgjente përndryshe opozita do të jetë në rrugë, kundër spekulatorëve”.
“Nuk mund të mohohet se Europa është në luftë dhe hijet e saj detyrimisht qëndrojnë ose përhapen në mbarë kontinentin përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Por në këtë luftë, krahas armikut kryesor që janë hordhitë barbare ruse që po kryejnë, çdo orë, çdo ditë, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në Ukrainën e lirë dhe të pavarur, hordhitë e dyta, jo vetëm në Ukrainë tashmë, por në mbarë Europën janë spekulantët dhe spekulatorët që duan si shushunja të pasurohen nga lufta. Në këtë kontekst është në detyrën më parësore të qeverive të vendeve europiane të luftojnë me vendosmëri spekulimin dhe spekulantët. Kohë përpara se të fillonte kjo luftë në Ukrainë të gjitha vendet e BE kanë ndërmarrë një seri masash të cilat kanë pasur qëllim kryesor mbrojtjen e qytetarëve nga spekulimi dhe spekulantët. Sot Shqipëria ka çmimet më të larta në Europë sa i përket naftës dhe gazit ndonëse është një vend prodhues i naftës, në sasira të konsiderueshme, prodhues në sasi jo të mëdha të gazit, megjithatë shqiptarët paguajnë naftën sot rreth 2 Euro në treg, çmim ky që është më i larti i regjistruar deri sot në Europë pavarësisht se rrogat e tyre janë të paktën 10 herë më të ulëta se në Zvicër, Gjermani, apo Austri. Ky çmim stratosferik i naftës sot që në bursë është 125$ fuçia për naftën bruto nuk ka ekzistuar në vitin 2008 kur fuçia e naftës bruto në bursë luhatej nga 150 në 200$. E gjitha, ky çmim i papërballueshëm është rezultat i një sasie taksash të vendosur me arbitraritet dhe kundër logjikë fiskale mbi energjinë, naftën dhe gazin. Kështu sot qeveria ka vendosur përveç TVSH, akcizës, vendosi edhe taksën e qarkullimit e cila ekzistonte në 70 Lekë dhe u rrit në 270 Lekë. Krahas tyre janë vendosur tarifa absurde madje edhe dyfishuar si tarifa e kontrollit, tarifa e pompës. Për të mos thënë pastaj 400 Lekë TVSH për litër. E rëndë është fatura e energjisë elektrike që paguajnë sot qytetarët dhe bizneset. Në këto kushte, PD kërkon me urgjencë heqjen e plotë të TVSH nga nafta, heqjen e plotë të TVSH së energjisë elektrike. Së dyti, kërkon rimbursim, apo kërkon një bonus për të gjitha familjet në nevojë, shtesë që të përballojnë krizën energjetike. Së treti kërkon heqjen e taksës së qarkullimit prej 270 Lekë dhe me këto lëvizje çmimet e naftës duhet të zbresin në nivelet e vendeve përreth, por meqenëse Edi Rama i pëlqen ta shfrytëzojë situatën e luftës para së t’u thotë shqiptarëve, siç bënte me Covid që do shihni kodra me kufoma, duhet para së gjithash të marrë këto masa që rëndojnë mbi qytetarët. Në rast se spekulimi vazhdon ndërhyrja shtetërore direkte në tregun e karburantëve mbetet si masa e fundit që nuk mund të përjashtohet për shkak të luftës”, u shpreh Berisha.