Shqipëria dhe Katari rritin bashkëpunimin

Veliaj shpreh mirënjohje për ndihmën pas tërmetit

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka pritur  në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme të Katarit, Dr. Ahmad Hassen Al-Hammadi. Duke i shprehur mirënjohjen në emër të qytetarëve të Tiranës për ndihmën e dhënë pas tërmetit tragjik të 26 Nëntorit 2019, Veliaj tha se bashkëpunimi me vendin mik të Katarit do të vijojë në disa projekte të tjera për kryeqytetin.

“Kemi punuar bashkë për nevojat që lindën pas tërmetit dhe pandemisë. Katari ka qenë gjithmonë aty, për të na ndihmuar. Kemi bërë disa shkolla fantastike, siç është shkolla në Pezë, shkolla “Jeronim De Rada” në Tiranë, shkolla në Kombinat, apo kopshti në ish Bllok. Jemi shumë mirënjohës për gjithë këtë ndihmë dhe shumë falënderues! Nuk do ia kishim dalë dot vetëm pa ndihmën e vëllezërve e motrave nga Katari dhe mezi pres që ky bashkëpunim të vazhdojë”.

Bashkia e Tiranës ka gati disa projekte që do të bashkëpunojë me Katarin.

“Kemi shumë projekte të tjera, siç është sheshi fundor te Bulevardi i Ri, apo investimet në Ujësjellësin e Tiranës, dhe bashkëpunimi me Katarin është jo vetëm si ndihmë financiare, por edhe asistencë teknike”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës i dhuroi Dr. Ahmad Hassen Al-Hammadi, Kullën e Sahatit, në shenjë mirëpritjeje në qytetin e Tiranës.

Leave a Reply