Sektori i energjisë “i paralizuar”, UNICEF: 7 milionë fëmijë rrezikohen në Ukrainë

Sulmet ruse që synojnë infrastrukturën energjetike të Ukrainës paraqesin rreziqe në rritje për pothuajse të gjithë fëmijët në Ukrainë, pasi temperaturat vazhdojnë të bien me afrimin e dimrit në vend.

Paralajmërimi erdhi nga UNICEF që thotë se pothuajse 7 milionë fëmijë nuk do të kenë të siguruar ngrohjen.

“Me ndërprerjen e herëpashershme të energjisë elektrike, fëmijët do të përballen me të ftohtin ekstrem dhe temperaturat mund të bien deri në -20 gradë Celsius. Shumë shkolla janë shkatërruar ose dëmtuar dhe ata s’kanë akses as në arsim”-thekson në një deklaratë Fondi i OKB-së për Fëmijë. Për më tepër, spitalet mund të mos jenë në gjendje të ofrojnë shërbime bazë dhe sistemet e gabuara të ujit rrisin rreziqet tashmë jashtëzakonisht të larta të pneumonisë, gripit sezonal, sëmundjeve të shkaktuara nga uji dhe COVID-19.

Dhe përveç kërcënimit direkt që vjen nga kushtet e ftohta, fëmijëve u privohet gjithashtu aftësia për të mësuar ose mbajtur kontakte me miqtë dhe të afërmit e tyre, gjë që e vë në rrezik të madh shëndetin e tyre fizik dhe mendor“, tha gjithashtu drejtori i UNICEF.

Deri më tani, 40% e kapacitetit të prodhimit të energjisë në Ukrainë është shkatërruar dhe pavarësisht riparimeve, sistemi energjetik i Ukrainës ishte në gjendje të plotësonte vetëm 70% të kërkesës më 28 nëntor, kur konsumi arriti kulmin, thotë Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.

Aktualisht, UNICEF-i specifikon se i duhen 1.1 miliardë dollarë për të përmbushur nevojat imediate dhe afatgjata të 9.4 milionë njerëzve, përfshirë 4 milionë fëmijë, për të ofruar, mirëmbajtur dhe zgjeruar shërbimet bazë shëndetësore, ushqimin dhe mbrojtjen e fëmijëve.

Leave a Reply