Policia e qytetit të Durrësit ka sekuestruar pasuri me vlerë 1 milion Euro, 30 milionë Lekë dhe 5.770 Euro, ndaj 57 vjeçarit me inicalet Xh.S. që rezulton i dënuar në Itali.
Sipas njoftimit të policisë pas një hetimi dy vjeçar është arritur të dokumentohet se 57 vjeçari e ka përfituar këtë pasuri në bazë të aktivitetit kriminal të ushtruar në Itali. Ai është dënuar në Itali me 3 vjet e 6 muaj burg për veprën penale “Gjobëvenie e kryer në bashkëpunim”.
Në përfundim të hetimeve u bë sekuestrimi i llogarive bankare me vlerë 30 milionë Lekë dhe 5.770 Euro, si dhe 7 pasuri të paluajtshme si truall, banesa, garazh, apartamente me një vlerë monetare në total rreth 1 milion Euro, të cilat dyshohet të jenë përfituar nga ushtrimi i aktivitetit të paligjshëm.
Materialet hetimore u kaluan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme.