Policia kufitare dhe njësia “C” për hetimin e krimit kompjuterik kanë zbuluar një pako të ardhur nga Britania e Madhe, brenda së cilës ndodheshin rreth 4 mijë karta SIM.
Numrat e telefonit ishin dërguar nga Anglia me postë urgjente dhe do tërhiqeshin në vendin tonë nga M.Hasa. Ky i fundit është marrë në pyetje, por ka mohuar kategorikisht t’i përkisnin atij. Pakoja me karta u evidentua nga skaneri, si produkt me përmbajtje të dyshimtë, ndaj u kontrolluan fizikisht nga policia e Rinasit.
Pas kontrollit është zbuluar se kartat ishin aktive me PIN dhe PUK çka ka bërë që policia të vihet në lëvizje për shkak të dyshimeve se do të shiteshin në treg të zi.
Ndërkohë Policia Shkencore ka konfirmuar se ka zbuluar se porositësi i kartave komunikon edhe me shtetas të huaj në Francë, edhe shqiptarë, që i ka vënë në dijeni se i kanë ardhur kartat.
Grupi hetimor ka ngritur dyshime se numrat telefonikë do të përdoreshin nga grupe kriminale, për shpërthime të telekomanduara, shantazhe, mesazhe në aplikacionet e koduara etj.
Ndaj porositësit të kartave SIM janë ngritur akuzat e mashtrimit kompjuterit dhe shitjes së paautorizuar të kartave SIM, ndërsa janë referuar materialet në prokurori.