Shënohen 1124 raste të reja dhe 14 viktima
E diela ka shënuar një tjetër numër të madh infektimesh ditore me koronavirus në vendin tonë. Ministria e Shëndetësisë raportoi për 1124 raste të reja nga 4254 testime të kryera, duke konfirmuar kështu edhe një herë kurbën e lartë të të infektimeve me Covid-19 në fillim Shkurti.
Harta e përhapjes së virusit është e shtrirë në gjithë vendin, por gati 1/3 e rasteve të reja i përket Tiranës me 408 persona të infektuar me Covid dhe pas saj vijnë Lushnja me 97, Kavaja me 79 dhe Elbasani 72 raste.
I lartë mbetet edhe numri i viktimave si pasojë e koronavirusit. Autoritetet raportuan për 14 humbje jete, më i riu mes tyre vetëm 35 vjeç.
6 nga qytetarët që e humbën betejën me virusin janë nga Tirana, 2 nga Durrësi dhe nga 1 nga Berati, Skrapari, Kurbini, Kukësi, Kavaja dhe Elbasani.
Situata në spitale vijon të mbetet e qëndrueshme, pavarësisht rritjes së numrit të personave në terapi intensive. Aktualisht në 4 spitalet Covid po trajtohen 437 pacientë, 31 në terapi intensive nga të cilët 12 janë të intubuar.
Nisur nga përkeqësimi i situatës së pandemisë Ministria e Shëndetësisë ju bën apel qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë rregullat anti-Covid duke vendosur maskën mbrojtëse në çdo ambient jashtë shtëpisë dhe duke ruajtur distancimin fizik.