Kështu deklaroi të premten, Kryeministri Edi Rama në çeljen e Edicionit të 2-të të “Panairit Mesdhetar të Turizmit, Tirana 2018” në Expocity Albania, me operatorë turistikë nga i gjithë rajoni i Mesdheut, në prag të sezonit turistik.
Rama theksoi se, ka një rritje vjetore të të ardhurave të vendit të ndikuar nga rritja e vazhdueshme e numrit të vizitorëve të huaj dhe jo rezidentë në vend, me rj.jreth 10 për qind vetëm vitin e shkuar.
Por siç dëshmojnë të gjithë operatorët turistikë të vendit, sipas Kryeministrit, kjo është një rritje e kushtëzuar nga kufiri ende shumë i ngushtë i mundësive tona për t’iu përgjigjur kërkesës, sepse kërkesa është shumë më e lartë se oferta sot. “Kjo përbën edhe sfidën kryesore: të rrisim ofertën për të përballuar një kërkesë që vjen gjithmonë e më në rritje”, tha Rama.
Kryeministri nënvizoi përpjekjet për të nxitur në vazhdimësi zhvillimin e një sektori strategjik si turizmi dhe krijimin e një industrie të mirëfilltë, që ka ende potenciale të jashtëzakonshme dhe të pashfrytëzuara.
“Sot Shqipëria është një vend që gëzon një pozicion shumë strategjik në raport me interesin e shumë turistëve për ta vizituar, por edhe një numri gjithmonë e më në rritje sipërmarrjesh e investitorësh për të marrë pjesë në zhvillimin e infrastrukturës së mikpritjes”, tha Rama.
Ai theksoi se, Shqipëria gjendet në një rajon që është një nga destinacionet kryesore të turizmit në botë, Mesdheut, që merr 25 për qind të të ardhurave nga turizmi global, dhe 80 për qind të turistëve që vijnë nga Europa.
Duke qenë pjesë e kësaj konkurence të fortë, Kryeministri theksoi se, Shqipëria duhet të përballet me boshllëkun e krijuar në vite në raport me konkurentët tanë.