Shaqir Fetai druan se ka krijuar një praktikë përmes të cilës kur të duan dy të tretat e Rijasetit, apo të imameve të një territori të Myftinisë mund ta shkarkojnë atë, hala pa u mesuar mirë “të nusërojë”. Prandaj nuk e paskan shkarkuar anëtarët e Rijasetit por paska dhënë vetë dorëheqje Sulejman Rexhepi. Ç’turp e ç’haram
Shkruan Haxhi Isa Xhaviti
Kushdo që e lexon me kujdes intervistën e Shaqir Fetait botuar në “HENA E RE”, do të vëreje se ai është një misionar me elementa të mercenarit me detyra të shumëfishta:
- ta rehabilitojë të kaluarën e Sulejman Rexhepit ku kontribut kriminal të theksueshëm ka edhe Shaqir Fetai,
- të këmbëngulë në atë se BFI-në nuk e ka gjetur si gërmadhë të shkaktuar nga Sulejman Rexhepi,
- Sulejman Rexhepin nuk e ka shkarkuar askush me shkeljen e kurrfarë neni porse, thjesht ai paska dhënë dorëheqje,
- rreziku që i vinte BFI, që po ngjasonte në një anije që po përmbytej, nuk ishte nga kapiteni pirat me tërë ekipin e vet anti-BFI, por nga valët e trazuar të detit për ç’gjë u desht të intervenohej me “dy të tretat” e Rijasetit të Sulejman Rexhepit, të cilat ia radhitën të gjitha sukseset dhe nuk ia nënvizon asnjë “mëkat”,
- vetëlavdërimin dhe mburrjen duke e stolisur me lloj-lloj gënjeshtra, fantazirash dhe duke përvetësuar merita të të tjerëve, vetëm sa për ta krijuar iluzionin se tashmë në krye të BFI-së ka ardhur një alamet “alimi” dhe takvaxhi që secilit mysliman të Shkupit ia kujton “zhengër babën”.
Në pyetjen: “Si është BFI – si Myfti i Gostivarit dhe si është sot – si Kryetar i saj në detyrë”, Shaqir Fetai na mbytë me vetëlavdërim dhe me virgjërinë e tij përgjatë viteve sa ka punuar në BFI në poste të ndryshme, si dhurata absolutisht të pameritueshme por të dhëna nga Sulejman Rexhepi për lojalitet dhe bashkëpunim të ngushtë në shkatërrimin e BFI-së.
Sa i pafytyrë aq edhe imoral, sa i pacipë aq edhe genjeshtar, Shaqir Fetai na helmon me elozhe që ia thurrë vetëvetes. Na paska qenë ndër themeluesit e FSHI-së! Me peshë si të Shaqir Fetait atëbotë kanë qenë të gjithë myslimantë e Maqedonisë së atëhershme.
Të gjitha të arriturat epike në Myftininë e Gostivarit në kohën e ish-myftiut dhe kryetarit e reisul ulemasë Hfz Arif ef. Eminit, i përvetëson dhe i llogaritë si suksese personale. Ndërkohë që, kur erdhi në krye të Myftinisë e gjeti një prej organeve më të fuqishme dhe më të konsuliduar që ia kishte lënë efendi Emini.
Shaqir Fetai flet sikur të jetë ai gjithçka meritori në Myftininë e Gostivarit, në Medrese dhe në BFI, ndërkohë që faktorët e mëhershëm në organet e BFI-së as që e bënin hesap si hoxhë klasik. Pa Sulejman Rexhepin dhe pa përkrahjen e atyre strukturave shtetërore ku aderonte Sulejman Rexhepi, edhe sot e kësaj dite Shaqir Fetai do të ngelte hoxhe klasik në fshatra të Gostivarit, si Hfz. Arif ef. Emini.
Shaqir Fetai përmend se paska kthyer tërë vakëfin e Myftinisë së Gostivarit, ndërkohë që ky denacionalizim ka qenë proces i paraparë me ligj për të gjithë organizatat fetare. Ku është merita e Shaqir Fetait këtu?
Le të tregojë Shaqir Fetai se si u bë që pronë e vakëfit të kësaj Myftinie ishte në emër të Sulejman Rexhepit? Po pse Shaqir Fetai nuk tregon se si e humbi vakëfin e garantuar dhe hejdie nga Banka Islamike për Zhvillim! Si e tradhetuan dhe pse u tërhoq nga kjo marrëveshje kjo organizatë finansiare ndër më të fuqishmet në botë? Si u bë që në vend se Myftinia e Gostivarit të bëhej me vakëf, u bë me shtëpi të paimagjinueshme Sulejman Rexhepi! Këtu kontribut vetëmohues gjithësesi që ka Shaqir Fetai. A mos e bleu postin u.d. kryetar Shaqir Fetai nga Sulejman Rexhepi duke e bërë atë me shtëpi përallore! Pse Shaqir Fetai nuk insiston që Sulejman Rexhepi t’i kthejë në arkën e BFI-së ato qindra e mijëra euro me të cilat i pagoi pompat e filtrimit të pishinave! Apo edhe kjo shkon në llogari të të qenurit “u.d. reisul ulema”? Shaqir Fetai duhet të dijë se asnjë mësim islam nuk mëson se shejtani mund të rikthehet në melaqe. Zoti e ka përjashtuar atë!
Ajo çka të trishton në këtë përgjigje është mercenarizmi i Shaqir Fetait të cilin e kamuflon me misionarizëm të padefinuar qartë. Përgjigjen e përfundon me këtë fjali: “Në këtë shërbim u vendosën të gjithë Myftinjtë dhe Koordinatorët e Myftinive dhe disa nga anëtarët e Rijasetit dhe morëm vendimin tanimë të njohur për opinionin, që u kurorëzua me dorëheqjen e ish-Reis’ul-Ulemasë”.
Këta banditë të manipuluar, më në krye Shaqir Fetain, a e morën vendimin për shkarkimin e Sulejman Rexhepit për shkak të shkeljes së komplet Nenit 58, pa specifikuar asnjë pikë të saj! Shkelja e të gjitha pikave të këtij neni do kohën e vet, do përkrahje institucionale, do miratim institucional, përfshirje të më shumë faktorëve. Pra, Sulejman Rexhepi asgjë nuk do të bente vetë pa përkrahje, miratim, ndihmë dhe bashkëpunim të Shaqir Fetait si Myfti i Gostivarit, si “organ” i Mulla Sulës. Dakord, e shkarkuan si e shkarkuan, atëherë ç’hyn këtu dorëheqja e Sulejman Rexhepit? E dini pse? Sepse Shaqir Fetai druan se ka krijuar një praktikë përmes të cilës kur të duan dy të tretat e Rijasetit, apo të imameve të një territori të Myftinisë mund ta shkarkojnë atë hala pa u mësuar mirë “të nusërojë”!
Ky fat mund ta gjejë nga vetë imamët e Gostivarit të cilët kur do ta kuptojnë rolin e Shaqir Fetait si Myfti në pasurimin dhe në shtimin e pronës së Sulejman Rexhepit, mund t’i kërkojnë llogari se ku kanë përfunduar paratë e xhematit të kësaj Myftinie “më të rregullt”, si u bë që Myftiu i tyre asnjëherë nuk ka kërkuar llogari nga Sulejman Rexhepi për vjedhje të atyre parave porse e ka ndihmuar në këtë degjenerim, pse tërë kohës derisa e ka ndihmuar në vjedhje dhe në zhvatje të buxhetit të BFI-së të mbushur nga xhemati i Gostivarit, kurrë nuk u ka raportuar dhe, nese u ka raportuar, i ka gënjyer se me ato para BFI po forcohet. Ndërsa tani na del puna se BFI na qenka lodhur nga do “faktorë të jashtëm”, nga do valë të detit që do të mund ta përmbysnin këtë Institucion. Pra, nuk paska qene fajtor Sulejman Rexhepi, Shaqir Fetai e soji i tij, por “valët e detit”! Turp! Zoti e ndëshkoftë edhe më shumë se sa të qenurit snob e injorant, i cili tashmë nuk po e ngacmon mllefin por urrejtjen gjithëpopullore!
(vazhdon)