Në njoftimin për shtyp, që i paraprin bisedimeve të zonjës Sherman me Këshilltarin e Shtetit kinez dhe Ministrin e Jashtëm Wang Yi, në Tianjin, thuhej se dy ekonomive më të mëdha në botë u duhet të gjejnë mënyra të përgjegjshme për të menaxhuar konkurrencën.
“Ajo do të nënvizojë se ne nuk duam që një konkurrencë e ashpër dhe e vazhdueshme të shndërrohet në konflikt”, tha një zyrtar i lartë i administratës amerikane, përpara që atij që do të jetë takimi i parë i rangut të lartë ballë për ballë mes Uashingtonit dhe Pekinit, pas disa muajsh. Kjo është pjesë e përpjekjeve që të dyja palët po bëjnë për të qetësuar marrëdhëniet e acaruara.
“Kjo është arsyeja pse SHBA-ja dëshiron të sigurojë parametra për të menaxhuar me përgjegjësi marrëdhëniet”, tha zyrtari amerikan. “Ajo (zonja Sherman) do të bëjë të qartë se ndërsa ne e mirëpresim konkurrencën e fortë e të qëndrueshme me Kinën, të gjithë duhet të luajnë me rregulla të barabarta loje”.
Zonja Sherman pritet të mbërrijë të dielën në Tianjin, një qytet në juglindje të Pekinit dhe do të qëndrojë deri të hënën.
Ndërkohë javën tjetër Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin do të udhëtojë drejt Singaporit, Vietnamit e Filipineve ndërsa Sekretari i Shtetit Antony Blinken do të vizitojë Indinë, shenja të një përpjekjeve të SHBA-së për të intensifikuar angazhimin në këtë rajon ndërsa Kina po sfidon ndikimin e Uashingtonit në Azi./VOA/