Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar zyrtarisht Gjermanisë, që të bashkohet me Francën dhe Britaninë në një mision, për të siguruar Ngushticën e Hormuzit, dhe për të luftuar agresionin iranian, tha të martën, ambasada amerikane në Berlin.
Në një kohë të tensionit të shtuar midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, Uashingtoni ka propozuar forcimin e përpjekjeve për të ruajtur Ngushticën e Hormuzit që gjendet në rajonin e Gjirit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës në botë.
“Ne i kemi kërkuar zyrtarisht Gjermanisë që të bashkohet me Francën dhe Britaninë e Madhe për të ndihmuar në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit dhe luftimin e agresionit iranian. Anëtarët e qeverisë gjermane kanë qenë të qartë se liria e lundrimit duhet të mbrohet. Pyetja jonë është: Nga kush duhet të mbrohet?”, tha një zëdhënëse e Ambasadës, raporton agjencia e lajmeve DPA.
Raportet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara janë përkeqësuar qëkur Uashingtoni, vitin e kaluar, u tërhoq nga një marrëveshje bërthamore ndërkombëtare me Iranin, dhe sërish vendosi sanksione ndaj Teheranit.
Sulmet e fundit ndaj cisternave të naftës në ngushticën e Hormuzit, kanë rrënuar edhe më tej marrëdhëniet.
Mirëpo, ekziston një kundërshtim midis Social Demokratëve të Gjermanisë (SPD), partnerë të koalicionin qeverisës të kancelares, Angela Merkel, për t’u përfshirë në një mision të udhëhequr nga SHBA-ja./ REL