Hetuesit amerikanë thonë se personi që kreu shpërthimin në Neshvill në Ditën e Krishtlindjes “nuk ishte në radarin tonë“ ndërkohë që vazhdon puna për të zbuluar motivin për këtë akt që la të vrarë autorin dhe plagosi tre të tjerë. “Ai nuk ishte identifikuar si person me interes për FBI-në, prandaj nuk e njihnim deri pas sulmit,” tha David Rausch, drejtor i Byrosë së Hetimeve për shtetin Tenesi, i cili dha komente për shtyp përmes një lidhjes me Zoom.
Autoritetet identifikuan të dielën 63-vjeçarin Anthony Quinn Warner si personin që hodhi në erë rulotin e tij në një lagje në qendër të qytetit Neshvill. Shpërthimi dëmtoi dhjetëra ndërtesa dhe ndërpreu sistemet e telekomunikacionit në zonë, ku ndodhen disa nga klubet e muzikës kantri më me famë në vend.
Hetuesit përdorën edhe prova të tjera si numrin e regjistrimit të automjetit si dhe informata nga publiku për të identifikuar autorin e aktit. Zoti Rausch tha të hënën se nëna e autorit të shpërthimit po bashkëpunonte me hetimet, por se motivi i aktit mbetet ende i paqartë. Ai tha se Warner ishte arrestuar vetëm një herë në 1978 për akte penale lidhur me marijuana.
Që nga shpërthimi, qindra vetë kanë marrë në telefon agjencitë e rendit për të ofruar informata. Rick Laude, fqinj i autorit të aktit, tha për agjencinë e lajmeve The Associated Press se kishte folur me Anthony Quinn Warner-in disa ditë para shpërthimit. “Nashvilli dhe bota nuk do të më harrojnë kurrë,” i kishte thënë ai.
Zoti Laude tha se asgjë në sjelljen e tij nuk kishte sinjalizuar një plan të tillë dhe ai kishte menduar se ndoshta Warneri priste që t’i ndodhte “diçka e mirë financiarisht”. Të shtunën autoritetet kontrolluan banesën e Warnerit në periferi të Neshvillit. Sipas dokumenteve publike, Warner ka pasur njohuri për pajisje elektronike dhe sisteme alarmi. Ai ka punuar në funksione të teknologjisë informatike./VOA