Shtetet e Bashkuara kanë dëbuar një diplomat të lart rus në Uashington, në kundërpërgjigje ndaj dëbimit të një diplomati amerikan në Moskë më herët gjatë këtij muaji, tha më 24 shkurt një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit.
Diplomati i dëbuar është ministri këshilltar, Sergey Trepelkov, i cili ishte diplomati numër dy në misionin rus, pas ambasadorit Anatoly Antonov. Dëbimi i tij pason vendimin e Rusisë më herët gjatë këtij muaji, teksa Rusia dëboi zëvendësshefin e misionit amerikan në Moskë, Bart Gorman.
Zyrtari tha se Departamenti amerikan i Shtetit e ka njoftuar Ambasadën ruse më 23 shkurt për dëbimin.
Njoftimi për dëbimin e diplomatit rus vjen në kohën e rritjes së tensioneve mes SHBA-së dhe Rusisë, pasi kjo e fundit nisi pushtimin e Ukrainës.
Por, zyrtari i DASH-it, që foli në kushte anonimiteti, tha se ky vendim nuk kishte të bënte me veprimet e Rusisë në Ukrainë, por ishte në përgjigje të “dëbimit të paprovokuar të zëvendësshefit të misionit” amerikan në Moskë.