Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara ka miratuar një projektligj të mbrojtjes në vlerë prej 770 miliardë dollarësh furnizimin e ushtrisë ukrainase, stabilitetin e Baltikut dhe luftimin e ndikimit kinez.
Projektligji u miratua në mbrëmjen e 7 dhjetorit dhe pati mbështetje të dy partive. Ky legjislacion pritet të miratohet më vonë gjatë kësaj jave edhe në Senatin amerikan.
Demokratët kontrollojnë edhe Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin dhe pasi të miratohet nga të dy dhomat, ky projektligj pritet të nënshkruhet nga presidenti Joe Biden, në mënyrë që të shndërrohet në ligj.
Projektligji autorizon 25 miliardë dollarë shtesë, sipas kërkesës së presidentit Biden dhe do të lejojë rritjen e buxhetit për ushtrinë për 5 për qind, por ky legjislacion anashkalon një propozim për të vendosur sanksione mbi gazsjellësin rus “Rrjedha Veriore 2”.
Ligjvënësit po ashtu hoqën dorë nga një amendament që kishte për qëllim ndalimin e shtetasve amerikan të blinin borxhin sovran rus.
Ushtria e Ukrainës do të marrë 300 milionë nën Iniciativën e Mbështetjes së Sigurisë së Ukrainës, ndërkaq 4 miliardë dollarë janë dedikuar për Iniciativën për Mbrojtje Evropiane dhe 150 milionë dollarë për bashkëpunimin e sigurisë në Baltik.
Ky projektligj ka për cak Kinën me 7.1 miliardë dollarë të ndara për Iniciativën e Paqësorit për Parandalim një deklaratë nga Kongresi për mbrojtjen e Tajvanit dhe një ndalesë nga Departamenti i Mbrojtjes për të mos blerë produkte të prodhuara në rajonin kinez, Ksinjiang.
SHBA-ja thotë se Kina po kryen gjenocid ndaj ujgurëve dhe minoriteteve të tjera myslimane në rajonin e Ksinjiangut, ku dy milionë persona janë dërguar në kampe të ndalimit./REL