I dërguari amerikan Witkoff takim tre orë me Putin, diskutohet takim i drejtëpërdrejtë Rusi-Ukrainë
Një gjeneral i lartë rus u vra nga një sulm me makinë-bombë në Moskë. Autoritetet konfirmuan se gjenerali Yaroslav Moskalik humbi jetën kur makina Volkswagen Golf shpërtheu me një pajisje të improvizuar.
Mediat lokale raportuan se makina ishte parkuar pranë shtëpisë së gjeneralit në periferinë lindore të Moskës. Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova e përshkroi vrasjen si “sulm terrorist”. Natyrisht dyshimet janë tek shërbimet e Ukrainës.
Sulmi ndodhi pak para se i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, të takohej në Kremlin me presidentin Vladimir Putin. Ky është takimi i katër mes Witkoff-it dhe Putinit. Witkoff është shfaqur si bashkëbiseduesi kryesor i Uashingtonit me Putinin, ndërsa Trump po nxit një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.
Videoja e publikuar nga Kremlini shfaq Witkoffin dhe Putinin duke shtrënguar duart dhe duke shkëmbyer disa fjalë përpara se të uleshin në anët e kundërta të një tavoline ovale të bardhë. Putini shoqërohej nga këshilltari i tij për politikën e jashtme Yuri Ushakov dhe i këshilltari për investimet Kirill Dmitriev.
Takimi zgjati tre orë dhe ishte konstruktiv, tha ndihmësi i Putinit, Yuri Ushakov. Ndër të tjera, ata diskutuan mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta midis Rusisë dhe Ukrainës.
Bisedimet kanë afruar qëndrimet e Rusisë dhe ShBA-së jo vetëm për Ukrainën, por edhe për çështje të tjera, tha Ukashov, duke shtuar se dialogu produktiv midis Rusisë dhe ShBA-së do të vazhdojë në nivele të ndryshme.
“Ky bisedë i lejoi Rusisë dhe ShBa-së të afrojnë më tej qëndrimet e tyre, jo vetëm për Ukrainën, por edhe për një numër çështjesh të tjera ndërkombëtare. Sa i përket palës ukrainase, diskutimi u përqendrua në veçanti në mundësinë e rifillimit të negociatave të drejtpërdrejta midis përfaqësuesve të Federatës Ruse dhe Ukrainës.”
Portali rus i lajmeve Izvestia publikoi pamjet të Witkoffit duke shëtitur në qendër të Moskës me Dmitrievin, i cili ka luajtur një rol të spikatur në kontaktet me administratën Trump.
Vizita e fundit e Witkoff në Moskë vjen një ditë pasi Trumpi kritikoi sulmin rus me raketa dhe dronë në Kiev që vrau të paktën 12 veta dhe postoi në mediat sociale: “Vladimir, NDALO!”
Por Trump tha gjithashtu se ka pasur përparim të konsiderueshëm në bisedimet e paqes.
Përpara se të nisej për në Romë për të marrë pjesë në funeralin e Papa Françeksut, Trump u shpreh i sigurt se Rusia dhe Ukraina do të ulen në tryezën e negociatave.
Ditët e fundit është folur shpesh për një plan amerikan për paqe, por tani zbulohet dhe një plan europian. Agjencia e lajmeve Reuters raporton se ka parë dy dokumente të ndryshme, një nga ShBA-ja dhe një nga Europa dhe Ukraina me vizione të ndryshme se si mund të vijë fundi i luftës në Ukrainë:
Të dy propozimet përshkruajnë garanci sigurie, por propozimi i Europës dhe Ukrainës duket se shkon më tej se ShBA-të. Ai paraqet një marrëveshje sigurie kolektive të frymëzuar nga Neni 5 i traktatit të NATO-s, i cili kërkon që vendet anëtare ta trajtojnë një sulm ndaj një anëtari si një sulm ndaj të gjithëve.
Vetëm teksti i Europës dhe Ukrainës kërkon kthimin e fëmijëve ukrainas të marrë ilegalisht në territorin e kontrolluar nga Rusia, si dhe një shkëmbim të të gjithë të burgosurve të luftës.https://www.youtube.com/embed/86RvFs0VQ0M?si=2KgBu-UqFsN7YzKs
Propozimi i ShBA-së përcakton në mënyrë të qartë njohjen nga SHBA-ja të territorit ukrainas që Rusia ka aneksuar, duke përfshirë Krimenë, Luhanskun, Donetskun, Zaporizhzhjen dhe Khersonin, pesë rajonet që i dërguar Steve Witkoff ka sugjeruar se janë çelësi i paqes.
Të dy tekstet propozojnë që Ukraina të rindërtohet dhe të kompensohet për pushtimin e Rusisë, por propozimi i SHBA-së nuk përmend nga kush. Teksti i Europës dhe Ukrainës thotë shprehimisht se asetet e ngrira ruse do të përdoren derisa të bëhet kompensimi i plotë.