Bllokimi i dhjetëra kamionëve me ndihma në anën egjiptiane të kufirit me Rripin e Gazës, ku njerëzit janë duke u përballur me uri, përbën fyerje morale, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, përgjatë një vizite në pikëkalimin në Rafah.
Ai ka thënë se është koha që Izraeli të zotohet për lëshimin e ndihmave në Gazë dhe ka bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm.
Ai u ka thënë gazetarëve se OKB-ja do të vazhdojë të punojë me Egjiptin për të mundësuar depërtimin e ndihmave në brendësi të Gazës.
“Prej kësaj pike kufitare ne e shohim situatën zemërthyese. Një rend i gjatë me kamionë të bllokuar në njërën anë të kufirit, një rend i gjatë i njerëzve të uritur në anën tjetër”, ka thënë ai.
“Kjo është më shumë sesa tragjike, është fyerje morale”.
Guterres e ka zhvilluar këtë vizitë teksa Izraeli përballet me presion global për të mundësuar hyrjen e më shumë ndihmave humanitare në Gazë, rajon që është shkatërruar pas më shumë se pesë muajve luftë në mes të Izraelit dhe Hamasit.
Izraeli është duke kërcënuar me nisjen e një operacioni ushtarak në qytetin jugor të Gazës, Rafah, shumë afër kufirit me Egjiptin, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare kundër një sulmi të tillë.
Shumica e 2.3 milionë banorëve të Gazës janë duke u strehuar në dhe rreth qytetit Rafah.
Grupet për ndihma kanë paralajmëruar për uri të thellë në Gazë, në rast se nuk lëshohen ndihmat.