79 shqiptarë kanë lënë shtetësinë shqiptare vetëm për muajin korrik. Ish-presidenti Bujar Nishani vetëm në muajin e fundit ka firmosur dorëzimin e pasaportës, ndërsa kjo shifër është edhe më e lartë në muajt e kaluar.
Nuk dihet arsyeja se pse këta persona kanë dorëzuar shtetësinë shqiptare, por pjesa më e madhe e tyre lidhet me dokumentacionin dhe marrjen e nënshtetësisë në shtete të tjera që nuk e lejojnë mbajtjen e dy pasaportave.
Kohët e fundit ka shumë persona që po heqin dorë nga shtetësia për të marrë shtetësinë e një vendi tjetër të Bashkimit Evropian dhe për të fituar të drejtën për tu punësuar në BE.
Ky fenomen ka qenë prezent kryesisht në zonën juglindore, ku persona të ndryshëm kanë ngritur pretendime për prejardhjen e tyre bullgare apo rumune dhe në këtë mënyrë aplikojnë për pasaportën e këtyre shteteve.
Diçka tjetër që bie në sy është se nëse 80 shqiptarë braktisin shtetësinë shqiptare, nga ana tjetër kemi 40 persona kryesisht nga Lindja e Mesme, që kanë marrë shtetësinë shqiptare me dekret të Presidentit vetëm për muajin Korrik.