Shkarkohet kreu i Agjencisë së Sigurisë Kibernetike në Gjermani, kishte lidhje me shërbimet ruse

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike në Gjermani, Arne Schonbohm, është shkarkuar nga detyra. Vendimi u mor nga ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser. Mediat gjermane raportuan se Schonbohm kishte lidhje dhe kontakte me persona të përfshirë në shërbimet e inteligjencës së Rusisë.

Shkarkimi nga detyra u raportua fillimisht nga revista gjermane e lajmeve, Spiegel, por më pas u konfirmua nga një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme.

“Shkak janë as më shumë e as më pak akuzat që janë të njohura dhe të diskutuara gjerësisht në media dhe që kanë dëmtuar besimin e publikut në paanshmërinë e zyrës së tij si kreu i autoritetit më të rëndësishëm të sigurisë kibernetike në Gjermani”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme gjermane.

Arne Schonbohm ishte në krye të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike që nga Shkurti i vitit 2016. Nuk ka informacione se kush do ta pasojë atë në këtë detyrë.

Leave a Reply