Shkërmoqja deri në asgjësim si mision

(Një persiatje motivuar nga shkrimi i fundit i teologut tonë të mirënjohur, Abaz Islami, botuar në shumë portale kombëtare, me titull “SHKAKU E KA EMRIN SHAQIR FETAI”, e që trajtonte problemin e shkërmoqjes së unitetit të BFI-së dhe të myslimanëve të vendit. Shih për këtë, autori kërkonte që një orë e më parë të shporret Shaqir Fetai i cili ka kapur me duar të pista BFI-në falë ndihmesës nga pushteti aktual maqedonas)

Shkruan Sabit Ibrahimi

1.
Se kush është Shaqir Fetai, kush është profili i tij psikik e moral, cili është mision i tij, pse e instaluan në BFI, çka ka ndërmend të bëjë Shaqir Fetai me këtë Institucion, kush ia cakton detyrat, kush i kërkon rezultate konkrete, çka duhet të bëjë me këtë Institucion fetar islam – tashmë këto gjëra i di opinioni i gjërë si dhe faktorët me relevancë kombëtare e ndërkombëtare.

2.
Tërë kjo mund të përmblidhet në një emërues të përbashkët: Shaqir Fetai nuk është në BFI për të dhënë dorëheqje, qoftë edhe morale, por, për ta përmbushur misionin që ia kanë caktuar!

3.
Fundja, dorëheqjen mund ta ofrojë, qoftë edhe pas skandalit më të papërfillshëm, vetëm ai që ka integritet dhe moral të lartë. Një teolog i dinjitetshëm, kurrë nuk do të dilte para opinionit pas publikimit të dokumentit që e provon bashkëpunimin e tij me UDB-në, strukturën sekrete më të pashpirt në raport me shqiptarët dhe fenë islame. Kur kjo faktohet ndërsa bashkëpunëtori vazhdon që të fryhet si gjeldet dhe me këtë fryerje të mundohet disi ta fshehë këtë realitet, pra, nëse edhe pas faktimit të spiunazhit nuk pason dorëheqja, atëherë kemi të bëjmë me një person të operuar prej moralit dhe njerzillëkut, prej parimeve fetare dhe, të përgjithshme njerëzore!

4.
Në shërbime sekrete nuk ka moral dhe, nuk ka as ligjerata mbi moralin dhe përforcimin e tij tek bashkëpunëtorët. Në shërbime sekrete hyhet me moral të vdekur! Dhe, diçka që vdes nuk mund të ringjallet, rjedhimisht, Shaqir Fetait nuk mund t’i kërkohet dorëheqje si akt moral, mund t’i kërkohet vetëm “ORAO-s”, sepse vetëm tek ORAO mund të ketë pak moral, pak ndërgjegje, pak përgjegjësi dhe shumë aksione të kurorëzara me suksese. Këto suksese e mbajnë fort në misionin e tij prej bashkëpunëtori të shërbimeve sekrete. Në rast të dështimit, këtu mund të vie në shprehje përgjegjësia morale dhe të largohet personi!

5.
Nuk mund të spiunojë studentë i moralshmi, bashkëpunëtorët e shërbimeve, pra, mashat, nuk e kanë mision shuarjen e zjarrit, por, përpushjen e prushit për t’i dalur sa më shumë flaka; në aksione spiunimi nuk shkohet me moral e me ndershmëri, në aksione diversante me motive shantazhimi nuk hyhet me moral, në tradhëti e në zhvatje nuk hyhet me moral! Ndaj, si t’i kërkohet Shaqir Fetait dorëheqje morale?

6.
Të gjitha veprimet e deritanishëm të Shaqir Fetait në BFI dëshmojnë se, ai është i përzgjedhuri, elementi më bensik dhe më i suksesshëm, në shkatërrimin e BFI-se! Provat janë:

  • tradhëtia e Shaqir Fetait kundër “babait shpirtëror” të tij, të cilit i nguli thikë pas shpine;
  • vazhdimi i bashkëpunimit me të gjithë miqtë e shtëpisë dhe të kabinetit të ish-reisit, të cilët rezultuan se kanë qenë të dëgjueshmit e shërbimeve sekrete ku ka aderuar Shaqir Fetai që nga vitet ’80-të të shekullit të kaluar;
  • shkelja permanente e Kushtetutës së BFI-së (më shumë se gjysmat e neneve të kësaj norme juridike);
  • sjelljet e tij nonshalante, prononcimet e tij demagogjike, intrigat dhe hipokrizia e tij, amatorizmi dhe injoranca e tij, kanë degraduar peshën e BFI-së deri në një shoqatë humoristike
  • dehumanizmi dhe dehumanizimi i BFI-së me elementë krimogjenë
  • tallja nonshalante me ndërkombëtarët dhe, e fundit
  • instalimi i tij në kapjen e BFI-së nga pushteti aktual maqedonas si dhe pajtimi i tij me fragmentarizmin e unitetit të BFI-së si dhe të myslimanëve të vendit

7.
Dakord, Shaqir Fetai nuk mund të fajësohet sepse qenkan regjistruar shumë “bashkësi islame”, qofshin ato selefiste apo vehabiste por, ai fajësohet–

  • për shkak të neglizhencës së tij karshi këtij trendi dashakeq në raport me BFI-në;
  • Shaqir Fetai nuk guxoi të ngrisë zë;
  • Shaqir Fetai nuk e kushtëzoi publikisht me asgjë pushtetin për ta stopuar këtë lojë dhe për ta korrigjuar situatën ofenduese për islamin në vend;
  • Shaqir Fetai nuk lëshoi kurrfarë ultimatumi dhe nuk ndërmori kurrfarë mase parakërcënuese për një destabilizim të përgjithshëm si përgjigje kundër atyre segmenteve që ia mësyjnë destabilizimit të BFI-së.

8.
Shaqir Fetait i duhen këta dukuri që po ndodhin mbi kurriz të BFI-së, sepse ai do të dëshmojë se sa tolerant që është! Tolerancën e vet karshi shërbimeve sekrete të UDB-së tenton ta shndërrojë në tolerancë etnike karshi padrejtësive institucionale që i bëhet shqiptarëve dhe myslimanëve të vendit.

9.
Toleranca dhe, jo bashkëjetesa, i duhet Shaqir Fetait, sepse, bashkëjetesa e vë në pozita të palakmueshme “shumicën” e cila duhet t’i nënshtrohet edhe kërkesave, nevojave dhe parimeve etnike e fetare të “pakicës”!

10.
Pak histori! Dy-tre vite rresht, pas vitit 2006, ish-kryeministri Nikolla Gruevski, e kishte bërë traditë që, në prag të festave të fundvitit, t’i ftojë në një takim festiv të gjithë liderët fetarë të kishave, bashkësive fetare dhe të grupeve religjioze të regjistruara zyrtarisht! Do ti që, në një festë, i kishte vajtur mendja që të provokojë dhe, në festimin solemn, e kishte ftuar edhe Baba Mondin, atëkoh “udhëheqës” i bektashinjëve të “Arabati Baba Teqes”! Në mënyrë demonstrative ish-reisi, Sulejman ef. Rexhepi, e braktisi takimin duke iu drejtuar Nikolla Gruevskit: “Ti, me përpjekjen tënde për ta shtuar edhe një “bashkësi fetare”, kujdes, do ta humbish shtetin”!
Kurrë më Nikolla Gruevski nuk e vazhdoi atë traditë aq të mirë që pasqyronte bashkëjetesën fetare në Maqedoninë e Veriut.

Leave a Reply