Disa vende nuk e kanë arritur nivelin 5% të GDP-së
Ministrat e mbrojtjes të vendeve të NATO-s janë mbledhur këtë të enjte në Bruksel për të vendosur për rritjen e shpenzimeve ushtarake, mes frikës se lufta ruse mund të kapërcejë kufijtë e Ukrainës dhe të cenojë ato të aleancës.
Në qendër të diskutimeve është kërkesa e presidentit amerikan Donald Trump që shpenzimet për ushtrinë mes vendeve anëtare të rriten deri në 5% të prodhimit të brendshëm bruto të shteteve.
Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte propozoi që vendeve anëtare t’u lihet kohë deri në vitin 2032 për arritjen e këtij objektivi. Objektivi afatshkurtër të jetë 3.5%.
“Për t’u përgatitur për luftë duhet të shpenzojmë më shumë. E duke u bërë me të vërtetë gati për luftë, nuk do të sulmohemi”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
Kërcënimi rus ka zgjuar vende anëtare si Gjermania, me kapacitet të lartë për prodhim armatimi, por prej 80 vitesh me shpenzime të papërfillshme ushtarake. Këtij vendi i duhet shumë kohë për t’u përgatitur, ndonëse rreziku i shpërthimit të luftës mund të jetë shumë pranë.
“Me një vlerësim të përafërt na duhen 50–60 mijë ushtarë shtesë, veç atyre që kemi. Tani për tani është e kotë të vendosim shërbimin e detyrueshëm ushtarak, se nuk kemi as kazerma, as qendra stërvitjeje”, tha ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.
E teksa diskutohet për objektiva më të lartë, shumica e aleatëve nuk kanë arritur ende 2%-shin e shpenzimeve për ushtrinë, që Trump e kërkoi që në mandatin e parë.