Pas 15 raundesh votimi, maratonës rraskapitëse të zgjedhjes së kreut të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, i erdhi fundi.
Kevin McCarthy, është zgjedhur kryetar i këtij institucioni ne fund te katër ditësh votimi, në vazhdën e mosmarrëveshjeve të brendshme mes republikanëve të cilën kishin siguruar shumicën e dhomës së ulët së Kongresit.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve është personi i dytë për presidencën, pas nënpresidentes Kamala Harris. Ai vendos axhendën e Dhomës dhe pa miratimin e tij ligjet nuk mund të kalojnë.
Në zgjedhjet e mesmandatit, republikanët fituan një shumicë të ngushtë në Dhomë 222-212, nga 435 vende gjithsej. Demokratët ndërkohë, mbajtën kontrollin e Senatit. Një nga arsyet e ngërcit në zgjedhjen e tij ishte se McCarthy ra dakord me shumë prej kërkesave të kundërshtarëve të vet brenda grupit të ligjvënësve republikanë.
Mes këtyre lëshime, përfshihej rivendosja e një rregulli të kahershëm të Dhomës së Përfaqësuesve që do të lejonte çdo anëtar të vetëm të saj, të thërriste një votim për largimin nga detyra të kryetarit. Në thelb një gjë e tillë do ta vendoste edhe McCarthy nën kërcënimin e vazhdueshëm të kundërshtarëve.
Po kështu sipas marrëveshjes ligjvënësit pritet të kenë më shumë ndikim në hartimin dhe miratimin e legjislacionit. Përballja që ka penguar fillimin e punimeve të Kongresin e ri, vjen ndërsa shënohet përvjetori i dytë i sulmit të dhunshëm në Kapitol.