“Shqipëria, larg bisedimeve për anëtarësimin”

“Shqipëria është shumë larg çeljes së bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Europian”. Ky është vlerësimi i deputetit gjerman, njëkohësisht kreu i Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestag, Gunther Krichbaum.

“Ne në Komisionin e Bundestagut për Europën do të ndjekim me shumë vëmendje se çfarë përparimesh janë bërë në drejtim të dekriminalizimit të politikës, reformës në drejtësi, luftimit të korrupsionit dhe sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Por aktualisht Shqipëria, jo vetëm për shkak të parregullsive në zgjedhjet e fundit vendore, ndodhet ende shumë larg fillimit të bisedimeve të anëtarësimit për në BE”, vlerëson Krichbaum.

Në një intervistë tëdhënë për DW, deputeti gjerman cek çështjet kryesore të aktualitetit politik në Shqipëri. Ai foli për dekriminalizimin duke e vlerësuar këtë proces si mjaft jetik për aspiratën integruese të vendit tonë.

“Për ne është një kusht i panegociueshëm për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit, që politika shqiptare të dekriminalizohet dhe unë shpresoj shumë që të kemi një ujdi mes qeverisë dhe opozitës”, thotë Krichbaum.

Lidhur me reformën në drejtësi, ligjvënësi gjerman vlerëson se më shumë sesa miratimi është me rëndësi zbatimi i saj.

“Miratimi i ligjeve është vetëm hapi i parë. Më e rëndësishme është që këto ligje të zbatohen. Prandaj është me rëndësi eficenca e administratës dhe lufta e vendosur kundër korrupsionit”, shprehet ai.

Lidhur me skandalin e CEZ, Krichbaum shprehet në favor të një hetimi ndërkombëtar.”Unë e shoh si një propozim shumë të mirë pjesëmarrjen e hetuesve ndërkombëtare për zbardhjen e kësaj afere. Kjo sigurisht do të rriste besueshmërinë dhe pranueshmërinë e rezultateve të hetimit”, thotë ai.

Leave a Reply