Shqipëria siguron 500 mijë dozat e para të vaksinë Pfizer. Lajmin e bëri të ditur Kryeministri Edi Rama.
“Në prang të ndërrimit të viteve Shqipëria ka siguruar zyrtarisht 500 mijë dozat e para të vaksinës nga kompania Pfizer. Shopping-u im në New York ka përfunduar më sukses. Kemi dakordësuar me Akt Normativ për autorizimin e kontratës sipas marrëveshjes së konfirmuar zyrtarisht nga kompania Pfizer. Sasia e dakordësuar do të paguhet menjëherë, në bazë të termave dhe të procedurës tip, të kompanisë Pfizer, me të gjitha vendet pa përjashtim. 10750 dozat e para do të mbërrijnë në Shqipëri, në fillim të javës së tretë të Janarit. 30250 doza të tjera do të vijnë në Shkurt, dhe të tjerat me radhë, muaj pas muaji, në bazë të planit të vaksinimit.“
Kjo është nisja më e mirë e mundshme e këtij viti vendimtar, të zbrapsjes përfundimtare të armikut të padukshëm, por padyshim ky nuk është fundi i përpjekjes sonë për të garantuar që asnjë dozë e vaksinës të mos mungojë deri në fund. Do të vazhdojmë të përpiqemi, siç jemi përpjekur me këmbëngulje dhe pa pushim nga të katërta anët, deri mbrëmë vonë, që plani i vaksinimit të realizohet sipas parashikimit, pa asnjë bllokim apo ngadalësim nga mungesa e dozave të nevojshme.”
Kryeministri njoftoi gjithashtu se 9 mijë doza të tjera pritet që të vijnë nga dy vende mike, gjatë gjysmës së parë të Janarit.
“Ju bëj me dije po ashtu se kemi garantuar ditët e fundit edhe gadishmërinë e dy vendeve partnere, për një total prej 9 mijë dozash në gjysmën e parë të Janarit. Nuk mund t’i përmend emrat, sepse sot nuk e dimë nëse dinamika e re e krijuar nga marrëveshja zyrtare me Pfizer, do të ndikojë ose jo në finalizimin e këtyre operacioneve solidariteti nga ana e dy qeverive mike.“