Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur.
Ndërkohë 28 nëntori për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen njihet si Dita e Flamuri. Ndërkohë një vit më parë për shkak të pandemisë dhe masave kufizuese në vendin tonë qenë të ndaluara festimet me grumbullime të shumta, ndërsa këtë vit ministria e brendshme vetëm dy ditë para festimeve ka bërë me dije se shqiptarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë drejt Shqipërisë pa asnjë pengesë.
Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë.
Po ashtu, u njoftuan edhe shtetet ballkanike: Rumania, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia e Turqia, duke u kërkuar njohjen e pavarësisë, si rrjedhojë e natyrshme e vullnetit të popullit shqiptar. Më 28 Nëntor, Ismail Qemali u shpall kryetar i Kuvendit dhe kryetar i parë i qeverisë së shtetit shqiptar. Pavarësia u shpall për të gjitha trojet shqiptare dhe ministrat u zgjodhën nga të gjitha krahinat shqiptare.
Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.
28 Nëntori i vitit 1912 shënon një kthesë historike për popullin shqiptar, sepse nga njëra anë mori fund sundimi gati pesëshekullor i Perandorisë Osmane, nga ana tjetër u krijuan kushtet e reja politike për të dalë nga prapambetja e madhe dhe për zhvillimin e tij më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor.
Shpallja e Pavarësisë ishte një fitore e madhe e shqiptarëve edhe kundër politikës antishqiptare të monarkive fqinje ballkanike, kundër synimeve e planeve të tyre për copëtimin e plotë të Shqipërisë.