Nik Gjeloshaj drejt rikonfirmimit në krye të komunës
Rreth 1 orë pas mbylljes së procesit të votimit, shqiptarët e Tuzit nisën festën e fitores.
Ndonëse rezultati përfundimtar nuk ka dalë ende, nga të dhënat paraprake koalicioni “Forumi shqiptar” i udhëhequr nga Alternativa Shqiptare, ka siguruar 18 mandate në Këshillin Komunal, çka i jep mundësinë atyre që të zgjedhin sërish Nik Gjeloshajn si kryetar të Komunës së Tuzit.
“Faleminderit të gjithë votuesve që sot kanë dalë në mënyrë demokratike, kanë shprehur vullnetin e tyre dhe kanë treguar se malësia do bashkim, do zhvillim. Shqiptarët vazhdojnë të qeverisin. Kemi qeverisur mirë, kjo është nota më e mirë që na kanë dhënë qytetarët e malësisë, falenderojmë të gjithë ata që na kanë përkrahur, falenderojmë diasporën, falenderojmë gjithë shqiptarët kudo që janë për mbështetjen që na kanë dhënë, edhe kësaj here i kemi bashkuar shqiptarët kudo që janë. Fitorja absolute është përgjegjësi më e madhe për ne për t’u munduar edhe më shumë 4 vitet e ardhshme”, tha Nik Gjeloshaj për mediat shqiptare.
30 qendrat e votimit u hapën në orën 7 të mëngjesit dhe u mbyllën në orën 20:00 në mbrëmje.
Procesi u zhvillua i qetë dhe në votime morën pjesë rreth 62 përqind e mbi 12 mijë qytetarëve me të drejtë vote në këtë komunë.
Në zgjedhjet e së dielës garuan 4 koalicione dhe tri forca politike të pavarura. Në koalicionin “Forumi shqiptar” të udhëhequr nga Alternativa Shqiptare e kryetarit aktual të komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, bëjnë pjesë edhe Lidhja Demokratike e Shqiptarëve, Unioni Kombëtar Shqiptar dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi.
Në anën tjetër gjendet koalicioni i gjerë i përbërë nga Partia Demokratike Socialiste e Presidentit aktual Milo Gjukanoviç, Socialdemokratët, Partia Boshnjake dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve.
Dekada më parë, Tuzi ishte pjesë administrative e Podgoricës, e më pas një nga komunat e kryeqytetit.
Banorët e Tuzit pritën gati dy dekada për t’u ndarë në një komunë të pavarur, që ishte kërkesa kryesore politike të spektrit politik shqiptar në Malin e Zi.
Në zgjedhjet e para, pas ndarjes nga komuna e kryeqytetit, Partia Demokratike e Socialistëve e Presidentit Gjukanoviç humbi pushtetin në Tuz, ku deri atëherë kishte një bazë të fortë elektorale dhe mbante pushtetin në këtë komunë.