Shtatore e Ismail Qemalit në Prishtinë, Rama: Shqiptarët e fqinjët, bashkë nën çatinë e BE-së

E nisur si një ide  e intelektualëve nga Vlora, bashkë me Komunën e Prishtinës dhe e mbështetur fort nga Qeveria e Shqipërisë, shtatorja e parë e themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemali u vendos në kryeqytetin kosovar. 

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryetari  i Prishtinës Shpend Ahmeti, zbuluan shtatoren 5 metra e gjatë e punuar në bronz, në oborrin e Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u shpreh i nderuar dhe nënvizoi se misioni i Plakut të Madh nuk do të ishte i plotë pa një ndalesë, edhe pse simbolike, në Prishtinë.

“Qysh prej 1912-ës, rrugëtimi i shëmbylltërs së bronztë të kësaj figure të madhe të kombit me gjithë ndalesat në sheshet e ndryshme të qyteteve shqiptare dhe europiane, nuk do të ishte i përmbushur nëse nuk do të ishte ndalur edhe në Prishtinë, në këtë vend të themelit të qytetërimit shqiptar në këto troje”- deklaroi Rama.

Duke kujtuar se Ismail Qemali u bënte thirrje vendeve të tjera që të respektonin të drejtat e shqiptarëve, Rama përsëriti thirrjen për të drejtat e shqiptarëve sot në Ballkan.

“Kur shqiptarët e Maqedonisë përkushtohen në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, ata nuk kërkojnë një faturë të padrejtë një shteti të vobektë, por rreken të besojnë shpesh edhe në kulmin e të besueshmes se fjala dhe besa nuk pushtohen dhe nuk pushkatohen, dhe as nuk treten. Kur shqiptarët e Presheves, ata nuk kërkojnë asgjë më shumë se çfarë kanë serbët e Veriut të Kosoëvs, dhe as ne s’kemi ndërmend të shkelim aspak fjalën e lidhur me Amerikën dhe Europën për ta kryer bashkimin kombëtar si kulmim në Bashkimin Europian dhe kurrsesi si përçmim ndaj fqinjëve me të cilët duam të bashkohemi në çatinë e Europës”- u shpreh Rama.

Për kryetarin e Komunës së Prishtinës vendosja e kësaj shtatoreje ka dy porosi, shtetndërtimin dhe bashkimin.

“Ismail QEmali në vitin 1900, 12 vite para Pavarësisë thotë; të gjithë sa jemi shqiptarë, të mëdhenj e të vegjël, të pasur e të varfër, pleq e të rinj, duhet ta çojmë vendin përpara drejt zhvillimit. Kësaj duhet t’i bashkangjitemi të gjithë. Ne duam vetëm bashkimin e shqiptarëve, përparimin intelektual, shpirtëror dhe ekonomik të tyre, me qëllim që të bëhemi mjaftueshëm të fortë për të kundërshtuar atë që synon të na përpijë ne. nuk kemi nevojë për gjëra të reja, mjafton të reflektojmë dhe zbatojmë atë që ka bërë Ismail Qemali dhe Rilindasit e kombit tonë”- deklaroi Shpend Ahmeti.

Ceremonia e zbulimit të shtatores së Ismail Qemalit ishte më tepër karakterit festiv me artistë të ndryshëm nga Kosova e Shqipëria, që interpretuan këngë e poezi patriotike.

Të pranishëm ishin pasardhësit e Ismail Qemalit dhe figura të ndryshme të skenës politike nga pozita e opozita. Binte në sy mungesa e flamurit shtetëror të Kosovës dhe krerëve të institucioneve. Në emër të Qeverisë ishte këshilltarja e kryeministrit, Vlora Dumoshi e cila u përmend edhe në fjalën e kryeministrit Rama për shkak të emrit që mban.

Ndërkohë, Presidentja përshëndeti të pranishmit përmes kryetarit të Prishtinës.

Pas ceremonisë, kryeministri shqiptar dhe të tjerët i janë drejtuar në këmbë qendrës së Prishtinës, ku është përshëndetur nga qytetarë të shumtë.

Leave a Reply