Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka caktuar një takim mes ambasadorëve aleatë dhe zyrtarëve rusë
Çështja e Ukrainës është në axhendën e shumë shteteve europiane të cilat po bëjnë përpjekjet e tyre diplomatike për të shuar tensionet mes Kievit dhe Moskës.
E shqetësuar për ngërçin e krijuar është edhe NATO . Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka caktuar një takim të posaçëm të ambasadorëve aleatë dhe zyrtarëve të lartë rusë për javën e ardhshme.
Aleanca ushtarake perëndimore ka kërkuar të bisedojë me Rusinë. Takimi mes dy palëve do të zhvillohet në Bruksel më 12Janar pasi zyrtarët amerikanë dhe rusë të zhvillojnë bisedime për sigurinë më 10 Janar në Gjenevë. Maria Zakharova, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, konfirmoi se zyrtarët rusë do të marrin pjesë në takimin e NATO-s në Bruksel. Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov dhe zyrtarë të tjerë të lartë rusë pritet të marrin pjesë në bisedimet e Brukselit, pas takimit me Zëvendës Sekretaren e Shtetit të SHBA, Wendy Sherman në Gjenevë.
Të enjten do të zhvillohen bisedime urgjente në formatin e Normadisë ku do të marrin pjesë Rusia, Ukraina ,Gjermania dhe Franca vecanërisht lidhur me grumbullimin e trupave ruse në kufi. Formati i Normadisë u pagëzua kështu pasi përfaqësuesit e katër vendeve u takuan në Normandi më 6 Korrik 2014.
Mikpritës do të jetë Dmitry Kozak, nënkryetar i administratës presidenciale ruse. Qeveria gjermane do të dërgojë Jens Platner, këshilltar për politikën e jashtme të kancelarit gjerman Olaf Scholz. Parisi do të dërgojë Emmanuel Bone, këshilltar i Presidentit francez Emmanuel Macron. Se kush do të përfaqësojë Ukrainën ende nuk është bërë e ditur.