Ndërsa administrata e Presidentit Donald Trump nënshkruante një marrëveshje paqeje me talebanët në shkurt 2020, vetë presidenti deklaroi me optimizëm: “mendojmë se do të jemi të suksesshëm në fund”.
Sekretari i tij i Shtetit, Mike Pompeo, pohoi se administrata “po shfrytëzonte mundësinë më të mirë për paqen në një brez“.
Tetëmbëdhjetë muaj më pas, presidenti Joe Biden po e drejton vëmendjen tek marrëveshja e nënshkruar në Doha të Katarit, ndërsa përpiqet të shmangë fajin për marrjen e rrufeshme të Afganistanit nga talibanët. Ai thotë se marrëveshja e detyroi të tërhiqte trupat amerikane, duke krijuar terren për kaosin që përfshiu vendin.
Por marrëveshja nuk mund të përdoret si i vetmi justifikim. Ky dokument kishte një klauzolë që thoshte se SHBA mund të tërhiqeshin nga marrëveshja nëse bisedimet e paqes afgane dështonin. Kjo ndodhi, por Presidenti Biden vendosi t’i përmbahej marrëveshjes, megjithëse ai e shtyu tërheqjen e plotë nga maji në shtator.
Chris Miller, sekretar i mbrojtjes në detyrë në muajt e fundit të administratës Trump, hodhi poshtë idenë se zoti Biden i kishte duart e lidhura nga marrëveshja.
“Nëse (Biden) mendonte se marrëveshja ishte e keqe, ai mund ta kishte rinegociuar. Ai kishte plot mundësi për ta bërë këtë nëse dëshironte,” tha në një intervistë zoti Miller, zyrtar i lartë i Pentagonit për antiterrorizmin në kohën kur u nënshkrua marrëveshja e Dohas.
Por, rinegocimi do të kishte qenë i vështirë. Presidenti Biden do të kishte mundësi të pakta presioni. Ai, ashtu si pararendësi Donald Trump, donte që trupat amerikane të largoheshin nga Afganistani. Tërheqja nga marrëveshja mund ta kishte detyruar të dërgonte mijëra ushtarë të tjerë në Afganistan.
Presidenti Biden e theksoi këtë të hënën, duke thënë në një fjalim televiziv nga Shtëpia e Bardhë se nuk do të angazhohej për të dërguar më shumë trupa amerikane për të luftuar për të ardhmen e Afganistanit, ndërkohë që iu referua përsëri marrëveshjes së administratës Trump për të aluduar se rruga e tërheqjes ishte paracaktuar nga paraardhësi i tij.
“Zgjedhja që duhej të bëja, si presidenti i juaj, ishte ose të zbatoja atë marrëveshje ose të isha gati të kthehesha në luftën kundër talebanëve në mes të sezonit të pranverës”, tha zoti Biden.
Marrja e Afganistanit nga talebanët, shumë më shpejt se sa ç’e kishin parashikuar zyrtarët e secilës administratë, ka nxitur pyetje edhe nga disa zyrtarë të kohës së Presidentit Trump nëse kushtet dhe specifikimet e marrëveshjes, si dhe vendimet që pasuan, bënë sa duhet për të mbrojtur Afganistanin pasi ushtria amerikane u tërhoq.
Marrëveshja historike ishte gjithmonë një angazhim i rrezikshëm diplomatik që kërkonte një shkallë besimi te talebanët si një partner i mundshëm i paqes dhe u hartua megjithë skepticizmin që ushqenin afganët e lodhur nga lufta, të cilët i trembeshin humbjes së autoritetit në një negociim për ndarjen e pushtetit.
“Marrëveshja e Dohas ishte një marrëveshje shumë e dobët dhe SHBA duhet të kishte siguruar më shumë lëshime nga talibanët“, thotë Lisa Curtis, eksperte për Afganistanin, e cila ka shërbyer gjatë administratës Trump si drejtoreshë e lartë për Azinë Jugore dhe Qendrore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Ajo e quan optimizëm të tepruar të besosh se talebanët mund të jenë të interesuar për paqe të qëndrueshme. Marrëveshja që rezultoi, tha ajo, anonte së tepërmi nga interesat e talebanëve dhe kontribuoi në minimin e autoritetit të Presidentit afgan Ashraf Ghani, i cili u arratis nga vendi të dielën dhe tani strehohet në Emiratet e Bashkuara Arabe. Marrëveshja bëri të mundur edhe lirimin e 5,000 të burgosurve talebanë pa marrë nga talebanët lëshime të ngjashme.
“Ata donin largimin e forcave amerikane dhe kërkonin ta merrnin vendin ushtarakisht. Talebanët besonin se mund ta arrinin këtë“, tha zonja Curtis. “Kjo ishte krejt e qartë“.
Marrëveshja kërkonte që SHBA të reduktonte forcat e saj nga 13,000 në 8,600 në tre deri katër muajt pasues dhe specifikonte që forcat e mbetura amerikane do të tërhiqeshin në 14 muaj, ose deri më 1 maj.
Presidenti Biden, në një intervistë për kanalin ABC të transmetuar të enjten, tha se ai u gjend përballë një afati të paracaktuar sapo mori detyrën: “A të deklaroj se do të qëndrojmë? Si mendoni ju, nuk do të na duhej të dërgonim shumë më tepër trupa?” Edhe pa marrëveshjen e administratës Trump, Biden tha: “do të isha përpjekur për të gjetur një mënyrë për t’i tërhequr trupat” dhe se “nuk ka moment të përshtatshëm për t’u larguar nga Afganistani“.
Marrëveshja përfshinte angazhime që pritej të bënin talebanët për të parandaluar terrorizmin, përfshirë detyrimet për të hequr dorë nga al-Kaida dhe për të mos i lejuar atij grupi ose të tjerëve që ta përdornin tokën afgane për planifikimin e sulmeve ndaj Shteteve të Bashkuara ose aleatëve të tyre. Megjithëse marrëveshja u kërkonte talibanëve të ndalonin ndërmarrjen e sulmeve ndaj Shteteve të Bashkuara dhe forcave të koalicionit, nuk u kërkonte atyre shprehimisht të dëbonin al-Kaidën ose të ndalnin sulmet ndaj ushtrisë afgane.
Marrëveshja i dha legjitimitet domethënës talebanëve, udhëheqësit e të cilëve u takuan me sekretarin e atëhershëm të Shtetit, Mike Pompeo, i pari shef i diplomacisë amerikane që bënte një akt të tillë.Kishte gjithashtu diskutime se talebanët mund të vinin në SHBA për t’u takuar me Presidentin Trump.
Megjithatë, presidenti i mëparshëm Trump fliste me rezerva për perspektivat e marrëveshjes për sukses, duke paralajmëruar se do të përdorej forcë ushtarake nëse “ndodhin gjëra të këqija”. Zoti Pompeo nga ana e tij pat thënë se SHBA ishte “realiste” dhe “e matur”; e vendosur për të shmangur luftrat e pafundme.
Zyrtarët amerikanë e bënë të qartë në atë kohë se marrëveshja ishte e bazuar në kushte dhe nëse nuk arrihej një zgjidhje me negociata në bisedimet paqësore për të ardhmen e Afganistanit, do të anulohej klauzola për tërheqjen e trupave amerikane.
Një ditë para marrëveshjes së Dohas, një ndihmës i lartë i kryenegociatorit amerikan Zalmay Khalilzad tha se marrëveshja nuk ishte e pakthyeshme dhe “nuk ka asnjë detyrim për Shtetet e Bashkuara të tërheqin trupat, nëse palët afgane nuk janë në gjendje të arrijnë marrëveshje ose nëse talebanët tregojnë se nuk mund t’u zihet besë” gjatë negociatave.
Këto negociata ishin parashikuar të fillonin brenda një muaji nga nënshkrimi i marrëveshjes, por u vonuan mes mosmarrëveshjeve midis talebanëve dhe qeverisë afgane për lirimin e të burgosurve. Mes ngecjesh e ngërçes, negociatat nuk kishin dhënë ndonjë rezultat deri në kohën kur zoti Biden njoftoi vendimin e tij të tërheqjes në prill.
Zoti Miller thotë se ishte “qasja e duhur” dhe e nevojshme për të detyruar Presidentin Ghani në negociata. Ai shton se marrëveshja e Dohas ishte menduar gjithmonë të ishte “faza e parë” e procesit dhe se në pjesën tjetër SHBA do të përdorte fuqinë e saj për t’i bërë presion zotit Ghani që të negocionte mbi një marrëveshje të ndarjes së pushtetit me talibanët.
“Natyrisht, ai nuk ishte entuziast për këto terma, por do ta bënte, ose do të humbte postin”, thotë zoti Miller. “Ne do t’i bënim presion serioz për ta detyruar të arrinte marrëveshje me talebanët“.
E parë në retrospektivë, thotë zonja Curtis, SHBA nuk duhet të kishte hyrë në bisedimet e Dohas “nëse nuk ishim të përgatitur për të përfaqësuar interesat e qeverisë afgane. Ishin negociata të padrejta, sepse askush nuk po mbronte interesat e qeverisë afgane”./VOA