Si të shpëtohet BFI-ja nga kthetrat partiake

Bashkësia Fetare Islame, si asnjëherë më parë, gjendet në një pozitë shumë të keqe! Shkurtpamësia politike si dhe përpjekjet e segmenteve antiislame për ta kontrolluar dhe degraduar këtë institucion, kanë bërë që sot të kemi një BFI pa dinjitet e pa integritet. Si askujt tjetër, na takon ne, teologëve, e për më tepër, neve teologëve më të moshuar, që të angazhohemi për ta nxjerrur nga situata e mjerueshme ku na e kanë zhytyr subjektet politike të papërgjegjshme

Nga Mulla Nazmi Jashari

Bashkësia Fetare Islame gjithnjë ka qenë cak i segmenteve të caktuara të pushteteve për të vënë kontroll dhe, mundësisht, për ta degraduar deri në një subjekt fetar pa kurrfarë ndikimi! Luftën propagandistike e filluan kundër forcave imagjinare që kinse përpiqeshin për ta “shqiptarizuar BFI-në”! Pastaj u shprehën përpjeket e parreshtura (sidomos të LSDM-së) për ta maqedonizuar (së paku me mentalitet) BFI-në! Në fund, kur subjektet politike shqiptare menduan se ky Institucion “tashmë i shqiptarizuar” do të duhet të vihet në shërbim të “partive patriotike”, sakaq u përpoqën që të ndikojnë edhe politikisht mbi BFI-në!
Janë të freskëta përpjekjet e LSDM-së (përmes elementit shqiptar më 2019) që, nëpërmes puçeve klasike, ta kapin BFI-në, porse, çuditërisht nuk ia dolën t’i instalojnë njerëzit e vet! Ky dështim pastaj u amortizua përmes pazareve politike! Meqë “projekti” i LSDM-së ishte që ta largojnë Sulejman Rexhepin dhe të sjellin njeriun e tyre dhe, meqë ky angazhim nuk u dha rezultat, atëherë kompromisi i tyre me BDI-në ishte që, të largohet Sulejman Rexhepi dhe në krye të vie njeriu që është 50:50, fifti-fifti, do me thënë, sa i maqedonasëve aq edhe i shqiptarëve! Dhe, këtë prototip e gjetën te Shaqir Fetai!
Shaqir Fetai, për ta kamufluar këtë lojalitet politik të dyfishtë, në fakt, i hendikepuar dhe i kompleksur nga kjo dyftyrësi, shpëtimin do të mudohet ta kërkojë duke u hedhur në prehërin e BDI-së! Kur jemi këtu, brenda BFI-së pati të atillë që BDI-së i dëshmuan se janë më BDI se Shaqir Fetai, dhe me aminin e BDI-së, dy vitet e fundit pati dy tentativa të dështuara për puç! Dihen emrat e të përfshirëve, pasojat dhe thellimi i përçarjes së BFI-së!
Bashkësia Fetare Islame tashmë është e partizuar skajshmërisht, tashmë është shndërruar në “agjenci” e pushtetit dhe, gjithkush që do të vie në pushtet, do ta synojë këtë “agjenci”! Do me thënë, a do të pajtohemi që BFI-në ta lëmë në duart e partive në pushtet? A duhet që BFI-ja të jetë synim i partive politike, apo duhet të jetë problem që do zgjidhje edhe nga partitë politike. Në fakt Bashkësia Fetare Islame duhet të jetë Institucion fetar islam që duhet ta gëzojë përkrahjen dhe ndihmën e subjekteve politike, si në pushtet ashtu edhe në opozitë! Instalimi i partive politike në terrenin e BFI-së do të thotë sektarizim i këtij institucioni dhe, për më tepër, i komunitetit të gjërë të tij.
Tani, është “sekret publik” fakti që “reisi” aktual ishte i instaluar në krye të BFI-së nga pushteti LSDM-BDI! Është fakt i pamohueshëm se në zgjedhjet e fundit presidenciale dhe parlamentare, Shaqir Fetai dhe “institucioni” i tij u vunë tërësisht në shërbim të pushtetit që tashmë po kalon në opozitë. Këtë sjellje të BFI-së e të Shaqir Fetait e kritikuan edhe ASH-ja e Arben Taravarit, edhe mandatari për kryeministër Mickovski, edhe strukturat policore të angazhuara për rend e siguri në këtë proces. Por, edhe vëzhguesit e huaj! Pra, angazhimi i Shaqir Fetait dhe i strukturave të tij ishte kundër opozitës shqiptare dhe që ta dëmtojë sa më shumë VLEN-in! Tani që këto përpjekje të Shaqir Fetait dështuan katërcipërisht (madje BDI-ja humbi në vetë fshatin e Shaqir Fetait), a do të thotë kjo që, tashmë e drejtë absolute e VLEN-it është që “t’i hakmerren” Shaqir Fetait duke e larguar atë dhe duke sjellë njeri të VLEN-t? Ja pra, ja se si do të sillemi në një rreth vicioz që nuk na bën nder, të paktën neve hoxhallarëve, të cilët duhet që BFI-në ta ndjejmë si amanet të trashëguar. Edhe pse, është “e drejtë” absolute e VLEN-it që t’i spostojë kundërshtarët e vet, megjithatë, unë si hoxhë, i pensionuar nga BFI duke qenë një jetë të tërë në shërbim të xhematit tim, do të kisha dashur që këto marifetllëqe të merrnin fund. Ndaj, për zgjidhjen e problemit, propozoj:

1. Të zgjidhet një Trupë Nderi prej hoxhallarëve më të vjetër të vendit të cilët do ta kthenin situatën në pikën zero: do me thënë, të kthehet ish-reisi, pa të drejta ekzekutive, i cili, në afat prej gjashtë muajve do ta përgatiste infrastrukturën dhe zgjedhjet për reis, i cili do të zgjidhej nga teologët dhe jo nga strukturat partiake dhe, e dyta

2.Të dorëhiqet Shaqir Fetai, duke ia dorëzuar mandatin Këshillit të Nderit, i përbërë prej hoxhallarëve të vjetër të vendit (5-7 hoxhallarë) dhe, bashkarisht të përgatisnin zgjedhjet e reisit të BFI-së jashtë çdo ndikimi apo përzierje partiake! Do të ishte në vetë nderin e partive që të rrinin sa më larg përzierjes në këtë Institucion.

Nëse nuk ndodhë ky ndërgjegjësim i ynë, atëherë, edhe VLEN do ta ketë gjithë të drejtën e vet që në krye të këtij Institucioni ta instalojë njeriun e vet, nga radhët e hoxhallarëve që i ka me bollëk! Por, druaj se ky do të ishte fundi i BFI-së në vend se të ndërmerrej hapi i parë dhe gjigant për ta shpëtuar këtë Institucion nga kthetrat partiake.
Personalisht, unë, autori i këtij shkrimi, propozuesi, nuk jam pretendent për atë post, madje as që kam të preferuar dhe, as që po jap ndonjë emër potencial. Thjesht, po propozoj një rrugëdalje, si kontribut timin në zgjedhjen e këtij problemi mjaft delikat. Do të doja që BFI-ja ta ketë autoritetin, dinjitetin dhe integritetin e dikurshëm, kur ishte subjekt që kontrollonte madje edhe veprimet fetare e kombëtare të partive që llogariteshin si të “bllokut mysliman”!

Leave a Reply