Një ditë më parë, BFI e RMV-së doli me komunikatë duke njohtuar se haxhilerët e Maqedonisë së Veriut me sukses e kryen haxhin e sivjemë. Ndërsa, pa kaluar akoma 24 orë, opinioni i vendit shokohet nga një video prej haxhit ku shihen se si haxhilerët e Kumanovës janë lënë në mëshirën e fatit!
Nga Jasir Jashari
Një video shokuese po qarkullon nëpër rrjetet sociale dhe mediat e vendit që po flet për një numër të konsiderueshëm haxhilerësh nga Kumanova që, pasi kanë kryer ritualin e gjuajtjes së shejtanit, janë lënë në rrugë, shihen duke pritur që të vie t’i marrë dikush. Pas tërë asaj dite të mundimshme, pas tërë asaj dite të rënduar nga turma të mëdha të haxhilerëve nga tërë bota, nga vapa e papërballueshme dhe nga lodhja e ditëve të më parshme, ata ngelin në rrugë dhe presin që të vie t’i marrë dikush. Asnjë nga “kryesia e haxhit” nuk vërenë se po mungojnë jo një e dy haxhilerë, apo tre haxhilerë, që rëndom ndodhë përgjatë haxhit, por, po mungojnë mbi 50 haxhilerë!
Ky detal hapi shumë muhabete në opinionin e vendit. U tha: kështu kur në kryesi të haxhit gjenden persona që nuk e dinë arabishten; kështu kur në kryesi të haxhit shkojnë persona të sektarizuar dhe që mbrojnë interesa të huaja; kështu kur paraprakisht kryesia e haxhit nuk u mblodh asnjë ditë për t’u përgatitur me qëllim që skena të tilla të mos u ndodhin haxhilerëve tanë; kështu kur ua ngulin haxhilerëve çmimin e papërballueshëm dhe këta pranojnë që t’ua mbushin gushën Shaqir Fetait dhe honxhobonxhove të tij; pasi i kanë marrur paratë dhe pasi e kanë ndarë përfitimin haram, natyrisht që për kryesinë ka përfunduar haxhi, ndërsa haxhilerët është mirë që mos të lëvizin poshtë-lartë sepse askush nuk ka obligim që t’iu rrijë mbi kokë…
Vetëm BFI-ja e Shaqir Fetait e gjeti fajtorin! Sipas një “njohtimi” që e lëshuan si fletërrufe, fajet nuk i paskan kryesia e haxhit, nuk e paskan ata që kanë qenë të obliguar dhe të paguar që të përkujdesen për çdo një haxhi, por, fajet i paska pasur “dikush” i cili incizimin e paska bërë në mënyrë tendencioze “për tu njollosur organizmi i mirëfilltë i haxhit 2023” dhe se na qenka shumë normale shkëputja e grupeve të haxhilerëve dhe humbja e tyre! Kjo na qenka shumë normale!
Në atë incizim shiheshin dhe flisnin haxhilerët e Kumanovës, që të gjithë të zhgënjyer, që të gjithë të lënë pas dore, ata ishin prindër të dikuj, ishin motra dhe vëllezër të dikujt! Çka mendon Shaqir Fetai, si janë ndjerë pjesëtarët e familjeve që janë në Kumanovë, si ndjehet djali kur e sheh nënën ulur në trotuar, të harruar e të braktisur, të mllefosur e të zhgënjyer. Kjo, sipas Shaqir Fetait mund të përkthehet edhe si sabotazhë e njerëzve të organizuar për pamje të tilla me qëllim që të “njolloset organizimi i mirëfilltë i haxhit 2023”!
Po në cilin haxh ka ndodhur që opinioni të njohtohet për humbjen e grupit të madh të haxhilerëve! Në cilin vit është njohtuar për dukuri të tilla? Kurrë! Sepse kryesia ka qenë kompakte, sepse kryesia ka qenë e organizuar mirë dhe e përkushtar për çdo haxhi që e ka pasur si amanet. Sivjet, me gjasë haxhilerët i konsideruan vetëm si valutë, si dollar e si euro, ndaj dhe humbja e tyre nuk paraqet kurrfarë problemi, sepse ka plotë haxhilerë të tjerë (siç ka edhe shumë para nëpër xhepa)!
Është jo islamike, është jonjerëzore, është përtej çdo parimi human që një Institucion për një problem të tillë të dalë me një njohtim idiotik. Në vend se Shaqir Fetai të kërkojë falje publike, në vend se të solidarizohet me trishtimin dhe dhembjen e familjarëve të haxhilerëve, në vend se të premtojë se do të marrë masa kundër kryesisë, ai, i shkreti, shikon “organizim sabotues” si dhe akt tendencioz për ta “njolosur organizimin e mirëfilltë të haxhit”! Do me thënë, haxhilerët e Kumanovës, në sinkronizim me dikë që është tendencioz kundër BFI-së, e paskan përgatitur këtë “material propagandistik” sa për ta nxirë fytyrën e faqeziut, Shaqir Fetai!
Cilitdo lider fetar që do t’i ndodhte ky problem, pa kurrfarë hezitimi do të ofronte dorëheqje të parevokueshme dhe nuk do të përpiqen që fajin ta kërkonte pesëmij kilometra larg ngjarjes. Po, këtë përpëlitje “morale” do ta bënte vetëm një hipokrit që është i pashoq në vend e në botë!